E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet që do t’i mungojnë Evropianit

Kampionati Evropian do të jetë i mbushur me yje, të cilët do t’i përfaqësojnë vendet e tyre. Mirëpo, në ‘Euro 2012’, për arsye të ndryshme, sidomos për shkak të lëndimeve, do të mungojnë lojtarë të njohur si David Villa, Carles Puyol, Giuseppe Rossi, Jack Wilshere etj, të cilët sigurisht se do të jenë hendikep i madh për përfaqësueset respektive.

Të martën mbrëma janë zbuluar emrat e 276 futbollistëve që do të jenë të aftë për t’i përfaqësuar vendet e tyre në kampionatin evropian ‘Euro 2012’, i cili do të fillojë më 8 qershor. Por, të tjerë do të mungojnë për arsye të ndryshme, mbi të gjitha për shkak të lëndimeve. Ueb faqja goal.com e ka publikuar listën e dhjetë yjeve që do t’i mungojnë kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian këtë vit.

Eric Abidal (Francë)

Mbrojtësi i Barcelonës do ta kalojë verën duke u shëruar, pasi e bëri transplantimin e mëlçisë në muajin prill, kur kishte zbuluar kancerin në mëlçi në vitin 2011. Nga perspektiva e futbollit, mungesa e mbrojtësit të majtë do të jetë një humbje e madhe për selektorin Laurent Blanc, i cili do të jetë i hendikepuar edhe me mbrojtësin e Tottenhamit, Younes Kaboul, për shkak të lëndimit në gju.

Gareth Barry (Angli)

31 vjeçari e shijoi një sezon të suksesshëm me Manchester Cityn, duke e fituar titullin e kampionit në Premierligë në ditën e fundit. Barry pritej të udhëtonte drejt Ukrainës dhe Polonisë me besim të plotë, pasi që ishte lojtar i rëndësishëm i mesfushës së Anglisë. Mirëpo, ish futbollisti i Aston Villës nuk do të mund t’i ndihmojë ‘Tre Luanët’ për shkak të lëndimit muskulor, të cilin e pësoi në miqësoren ndaj Norvegjisë.

Mikkel Beckmann (Norvegji)

28 vjeçari luajti rol të rëndësishëm në titullin e kampionit të fituar nga Nordsjaelland në ligën daneze, por mbeti jashtë turneut, pasi pësoi lëndim në thembër. Mesfushori ofanziv ishte pjesë e skuadrës në Botërorin 2010, por këtë verë do ta përcjellë Botërorin vetëm nga televizori.

Dmytro Chyrgynskiy (Ukrainë)

Mbrojtësi i Shakhtar Donetskut ka pësuar një lëndim në kofshë kohëve të fundit dhe nuk është shëruar me kohë për t’u marrë në konsideratë nga selektori Oleg Blokhin. Përpos tij, në ‘Euro 2012’ priten të mungojnë edhe portieri Andriy Dikan dhe veterani Oleksandr Shovkovskyi, për shkak të lëndimeve në ligamentet e gjurit.

John Guidetti (Suedi)

Futbollisti i Feyenoordit, i huazuar nga Manchester City, kishte mundësi reale për të luajtur në formacionin bazë të Suedisë. Sidoqoftë, ai nuk mundi të shërohet nga infektimi i nervit, i cili ia humbi ndjenjat në këmbën e tij të djathtë. Ndërkohë, qendërmbrojtësi Daniel Majstorovic, që ka dëmtuar ligamentet e gjurit, do të zëvendësohet nga Jonas Olsson.

Erik Pieters (Holandë)

I konsideruar si zëvendësuesi ideal i Giovanni van Bronckhorst, mungesa e 23 vjeçarit do të jetë humbje e madhe për ‘Oranje’. Edhe pse do të zëvendësohet nga shoku i skuadrës në PSV, Jetro Willems, krahu i majtë i Holandës do të jetë më i thatë pa këtë lojtar.

Carles Puyol (Spanjë)

Veterani i Barcelonës e lëshoi një mundësi ideale për ta udhëhequr mbrojtjen e Spanjës në Evropian, pasi iu desh t’i nënshtrohej një operimi në gju vetëm një muaj para se të fillojë kompeticioni. ‘La Roja’ do të jetë e hendikepuar pa liderin e saj, i cili pësoi humbje në derbin katalunas ndaj Espanyolit.

Giuseppe Rossi (Itali)

Italiani mungoi në pjesën më të madhe të sezonit, pasi kishte kryqëzuar ligamentet e gjurit në duel me Real Madridin në tetor të vitit të kaluar. Atij iu përsërit i njëjti lëndim në prill, kështu që futbollistit të Villarrealit i duhet të mungojë edhe 10 muaj të tjerë. ‘Azzurrët’ shpresojnë që mungesa e tij të mos jetë dizastër, siç ishte për ‘Nëndetësen e Verdhë’ që ra nga La Liga.

Bacary Sagna (Francë)

Përpos Abidalit e Kaboulit, ‘Les Bleus’ nuk do të mund të llogarisin në mbrojtësin e djathtë Sagna, i cili e ka thyer këmbën në ndeshje me Norwichin në fillim të muajit maj. Mbrojtësi i djathtë duhet të presë deri në muajin tetor dhe mungesa e tij do t’i zbehë gjasat e Francës për trofe.

David Villa (Spanjë)

Njeriu që u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në Kombëtaren e Spanjës nuk do ta ketë mundësinë të vazhdojë me shënimin e golave këtë verë. Sulmuesi i Barcelonës luftoi me të gjitha forcat për të qenë i gatshëm për Ukrainë dhe Poloni, pas lëndimit të rëndë të pësuar në dhjetor në Kupën e Botës për klube, por nuk ia doli mbanë. Kjo ishte humbja më e madhe për kombin spanjoll.

Kyle Walker (Angli)

Mbrojtësi i djathtë i Tottenhamit, i cili ishte zgjedhur futbollisti më i mirë i ri i Premierligës, do ta humb rastin jetësor, pasi e kishte thyer gishtin e këmbës në ndeshje me Fulhamin. Me Micah Richards, që nuk ka shfaqur siguri dhe Chris Smalling, që ishte i lënduar, mbrojtësi Walker do të kishte mundësi reale për të luajtur në njëmbëdhjetëshin startues.

Jack Wilshere (Angli)

Një tjetër futbollist i ri anglez e humbi rastin që ta përfaqësojë vendin e tij është Wilshere. Pasi pësoi krisje në nyjën e këmbës në fazën përgatitore në gusht të vitit të kaluar, Wilshere nuk ka luajtur më. Ai tentoi të rikthehej me kohë, por nuk ia doli assesi. Për fat të mirë, Anglia ka lojtarë si Gerrard e Lampard në mesfushë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›