VV në Malishevë: Kryeministër ne jemi Qytetar...

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë ka reaguar pas përgjimeve të bisedave të Kryeministrit Hashim Thaçi.
Në komunikatën e lëshuar nga kjo degë thuhet se janë të indinjuar me fyerjet që u janë bërë nga kryeministri.
“Gjuha fyese që dëgjohet në këto biseda prek shumë rëndë dinjitetin e qytetarëve të malishevës, të familjeve të dëshmorëve, familjeve të martirëve, të invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së si dhe të gjithë atyre veprimtarëve dhe intelektualëve që dhanë shumë për vendin.Për më tepër fjalori poshtërues e fyes u drejtua edhe ndaj familjes të respektuar të Adem Jasharit si dhe ndaj kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqit që për ne është cënim direkt i integritetit dhe respektit ndaj luftës së UÇK-së dhe institucioneve”, thuhet në komunikatë.
“Gjithashtu i bëjmë me dije të gjithëve se ishte Malisheva ajo e cila Hashim Thaçit dhe shokëve të tij në kohën e luftës por edhe pasluftës i ofroj konak dhe respekt edhe në kohërat më të vështira andaj presim një reflektim të vërtetë nga ana e tij në të kundërtën dihet fati i atyre që kanë fyer dhe nënçmuar qytetarët”, thuhet më tej në komunikatë.
Ata kanë kërkuar nga kryeministri dhe personat e tjerë të përfshirë në këto fyerje që të kërkojnë falje publikisht për etiketimet që ju kanë bërë qytetarëve të Malishevës duke vlerësuar se Thaçi nuk meriton të jetë Kryeministri i Republikës së Kosovës./Indeksonline/