VV, thirrje për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes

Subjekti i dytë më i madh në opozitë: Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thirrur popullin që të kundërshtojë ratifikimin në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për veriun e Kosovës.Në konferencën e mbajtur sot për media, nga Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri u paralajmërua organizimi i Protestës gjithëpopullore në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë, po qe se kjo sillet në Kuvend nga Qeveria.
Shefi i Grupit parlamentar të lëvizjes “vetëvendosje”, Visar Ymeri dhe deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, të dielën në një konferencë për shtyp, kanë bërë të ditur se ditën kur marrëveshja mes të dyja vendeve e arritur në Bruksel do të sillet për të marrë vulën e Kuvendit të Kosovës, subjekti i tyre do të organizojë protestë në Prishtinë në funksion të kundërshtimit të saj.
Ymeri u ka bërë thirrje edhe deputetëve të partisë më të madhe në opozitë: Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të mos e votojnë marrëveshjen, meqenëse sipas tij, eksponentë të këtij subjekti në vazhdimësi kanë thënë se ani pse janë pro dialogut, si subjekt janë kundër një aranzhimi për veriun në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Me dymbëdhjetë deputetë të lëvizjes ‘Vetëvendosje’ kundër, dy deputetë të Lëvizjes për Bashkim kundër dhe njëzet e shtatë deputetë të LDK-së kundër marrëveshja nuk do të kalonte”, ka thënë Ymeri.
Deputeti i këtij subjekti njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka kërkuar akterëve kosovarë të përfshirë në dialog që të zbërthejnë deklaratat dhënë mediave për marrëveshjen e arritur nga ana e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, njëherësh ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi, Catherine Ashton. “Ashton përmendi autonominë dhe tash le ta sqarojnë këta këtë”, ka thënë Konjufca.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar i kanë dhënë mbështetje përmes një rezolute marrëveshjes së parafuar me Serbinë./Indeksonline/