Vaçe Zela e herës së parë
Zëri i artë del nga arkivat. Për herë të parë një album i plotë me 56 këngë të Vaçe Zelës marrë nga fondet e Radio Tiranës, përgatitet nga Ministria e Kulturës. Prezantimi në Bazel, tirazhi sa për dhurata.
Gjithçka që Vaçe Zela ka regjistruar në Radio Tirana është gati në një album të quajtur "Larg dhe pranë njerëzve". Janë 56 këngë ashtu siç janë regjistruar për herë të parë që prej fillimit të karrierës në vitet '60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka përgatitur këtë edicion të veçantë muzikor më rastin e vitit 2009 "Viti Vaçe Zela" që përkoi me 70-vjetorin e këngëtares.
Albumi përmban 3CD, 2 me 19 këngë dhe 1 me 18. Aty gjen këngët "Fëmija i parë" kompozim i Agim Krajkës të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, "E dua vendin tim", "Djaloshi dhe shiu", "Dritaren kërkoj", "Lumi Ebro", "Për ty o këngë", "Manushaqja", "Esperanca" këngë kubaneze kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi "Karmen", "Një zambak i bardhë në gur" etj.
Janë kompozime të autorëve që kanë hyrë në historinë e muzikës së lehtë shqiptare Tish Daia, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani po gjen edhe krijime me autorë të paidentifikuar.
Kompoziori Gazmend Mullahi i cili është marrë me kërkimin arkivor tregon se si u realizua ky album i cili do të prezantohet së pari në Bazel të Zvicrës ku jeton prej vitit 1991 Vaçe Zela, vit kur doli për herë të fundit në një skenë.
Këngëtarja u lind më 7 prill të vitit 1939. Vajza nga Lushnja do të bëhej shumë shpejt artiste e njohur nga të gjithë. Për kohën kur ajo ngriti në këmbë një karrierë të shkëlqyer, kjo do të thoshte që Vaçe Zela të meritonte titullin "Artiste e Popullit".
Në një intervistë Vaçja pati treguar se cili është misioni i këngës: "Nëpërmjet të kënduarit zbulohet misioni i këngëtares për të komunikuar me njerëzit e afërt dhe të largët, të njohur e të panjohur, sepse në mesazhin e saj gjejmë diçka nga vetja, nga historia dhe e sotmja, nga tërë ato ndodhi të vogla e të mëdha, të cilat përbëjnë jetën. Kënga duhet të ketë një mendim, ndjenjë të thellë, emocion, një dramacitet për të hyrë në botën e gjithkujt. Kjo është, si të thuash, lidhja e artit të këngës me jetën".
Shumë e re Vaçe Zela prezantohet në festivalet e këngës së lehtë në Radio dhe më vonë në Radio-Televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare, ku ka fituar 10 herë vendin e parë.
Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj dëgjon në filmat "Në shtëpinë tonë".
Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës Bamir Topi i akordoi titullin "Nderi i Kombit".
Zoti Mullahi, si është realizuar ky album?
Ne si ministri, kemi marrë iniciativë që sa të jetë e mundur t'i mbledhim dhe t'i administrojmë këto vlera. Me Vaçe Zelën fillojmë, sepse duam ta vazhdojmë edhe për artistë të tjerë, këngëtarë, kompozitorë. Vaçja hapi siparin e një pune të tillë...
Ju e keni quajtur edicion special muzikor?
Po, edicion special muzikor. Kjo do të na shërbejë si hapje e një korpusi pikërisht për mbledhjen e këtyre vlerave.
Në ç'gjendje e gjetët materialin muzikor në arkivin e Radio Tiranës?
Për fat të mirë kam pasur një përvojë të gjatë me Arkivin e Radios, kështu që e njoh jo vetëm shumë mirë jo vetëm atë, por edhe shkallët, edhe çdo pllakë dhe çdo centimetër të atij institucioni. Të punosh 30 vjet nuk është pak.
Në përgjithësi atje ruhen mirë materialet. RTSH u tregua e gatshme për këtë bashkëpunim me ministrinë e Kulturës.
Sa kohë ju mori kjo punë?
Rreth 6-7 muaj. Ka albume të tjera të Vaçes por ky është i pari album i plotë dhe me versionet origjinale të interpretimit dhe regjistrimit të këngëve.
Ka këngë të panjohura?
Për moshën tënde mund të ketë, mund të jenë më shumë se sa gjysma këngë të panjohura, por relativisht për breza të cilët janë rritur me këngën e Vaçe Zelës, janë krejtësisht të njohura, jo vetëm se ajo është biografia e saj në këngë po është edhe biografia e secilit prej nesh. Kur dëgjon dhe kujton një këngë do ta lidhë patjetër me vendin dhe një kohë, me një periudhë të caktuar të jetës së tij.
Ju me cilat keni lidhje më të veçantë?
Me pothuajse të gjitha, sepse jam dëshmitar në 30 vjet dhe kam qenë në marrëdhënie direkt me Vaçe Zelën. Siç ju thashë punoja në Radio Televizion dhe ajo ka pasur zemrën aty, sepse çdo gjë që bëhej, regjistrohej, transmetohej dhe arkivohej aty.
Është një këngë nga filmi "Karmen". Ç'këngë është kjo?
Janë pjesë nga filmi
Dhe "Esperenca"?
"Esperanca" është sigla e Vaçe Zelës e periudhës së rinisë, ashtu ka qenë dhe modeli në atë kohë, në vitin 1962 bëhet fjalë. Ka njerëz që mbajnë mend mjaft mirë "Esperancën" e Vaçes. Ishte një interpretim i mrekullueshëm. Mos harrojmë, se është akoma koha e një frymë lirie dhe relativisht të mirë në arte.
Përse disa këngë janë pa kompozitorë?
Janë të shënuar të gjithë.
Për shembull kënga "Jeho" dhe disa të tjera?
Arsyeja ka qenë se nuk i njihet kompozitori. Menjëherë kush të dalë e të thotë është e imja, do t'jua vëmë atë shënim.
Keni bashkëpunuar me këngëtaren?
Unë e njoh dhe është njëlloj sikur ajo të ishte e pranishme në këtë projekt.
Çdo tingull i Vaçe Zelës është i bukur dhe i dashur. Është absolutisht e paarritshme deri më sot. Sigurisht që ajo ka dijeni. Ka qenë një moment emocionues kur mësoi për albumin. Kjo është e gjitha ajo që kemi ne nga Vaçe Zela. Është regjistrimi origjinal ashtu siç ka qenë në start.
Pse ky titull "Larg dhe pranë njerëzve"?
Sepse edhe larg edhe pranë e kemi Vaçen.
Me çfarë tirazhi do të hidhet në qarkullim albumi?
Prezantimi do të bëhet na Bazel të Zvicrës, por albumi do të shpërndahet dhuratë, nuk do të shitet.