E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshuan kombësinë shqiptare, nën hetim dy persona

SHKRUAN: Irena Vreto 18-06-2011 10:23

Korçë- Prokuroria e Korçës nis hetimin për katër emigrantë, ndryshuan kombësinë disa vjet më parë, hetim edhe në shtetin grek. Falsifikimi i dokumenteve të identifikimit, duke ndryshuar kombësinë, ka qenë një fenomen i njohur të paktën dekadën e fundit në qarkun e Korçës. Me dhjetëra banorë të tij mjafton të kërkonin një certifikatë me kombësi greke, e siguronin atë lehtësisht kundrejt një pagese deri në 3 mijë lekë në tregun e zi të falsifikuar, dhe mandej përfitonin dokumente greke por dhe pension për të moshuarit. Numri ka qenë i lartë, por jo në të gjitha rastet policia e shtetit fqinj është bindur për “grekët” që vinin nga Shqipëria dhe pretendonin se ishin të tillë.

Homologët grekë

Në mënyrë të vazhdueshme, Interpoli grek i Athinës zyrtare kërkon ndihmë në homologët shqiptarë për verifikimin e të dhënave personale dhe kombësisë për shumë shtetas shqiptarë që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj. E njëjta procedurë hetimi është ndjekur dhe për katër persona nga rrethi i Korçës, që jetojnë aktualisht në Greqi. Vetëm pas një verifikimi rutinë, Ilia Janko 28 vjeç, nga fshati Drenovë në Korçë, Dhionis Diamanti 42 vjeç nga fshati Dishnicë i komunës Bulgarec, Marie Braçjani 46 vjeç, nga fshati Lozhan, komunën me të njëjtin emër si dhe bashkëshorti i saj Kosta Braçjani 51 vjeç, kanë përfunduar në ndjekje penale. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Korçës, shtetasit e lartpërmendur kanë falsifikuar dokumentet zyrtare shqiptare dhe konkretisht certifikatat, duke ndryshuar kombësinë nga shqiptare në atë greke, për efekt të përfitimit të kartës homogjeniste në shtetin fqinj me afat 10-vjeçar.

Verifikimi

Pas verifikimeve në gjendjet civile të zonave nga ata vinin, ka rezultuar se në regjistrat themeltarë të këtyre zyrave, të katër të pandehurit kanë kombësi shqiptare. Tashmë emigrantët në fjalë akuzohen për veprën penale “Falsifikim të akteve të gjendjes civile”. Ndonëse fenomeni i ndryshimit të kombësisë është i njohur, është hera e parë që Prokuroria e Korçës nis hetimet për ndryshimin e kombësisë, nga shqiptare në atë greke, me anë të falsifikimit. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, mësohet se Interpoli grek gati çdo muaj kërkon verifikimin për këtë argument për shumë raste. Tashmë hetimet për çështjen në fjalë vazhdojnë, ndërsa emigrantët që jetojnë në Greqi, ende nuk kanë dijeni se është zbuluar e vërteta e tyre, në dokumentet që kanë paraqitur në zyrat e policisë greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›