Vaj dhe gëzim në skenën e operas
Një nga projektet më ambicioze të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve është padyshim muzikali i koreografit Arjan Sukniqi, i titulluar “Rituali i Jetës”. Muzikali i konceptuar si një historik i traditës shqiptare do të sjellë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit sonte në mbrëmje ritualet tradicionale shqiptare të lindjes, dasmës dhe vdekjes. Etnomuzikali, siç është emërtuar nga realizuesit, bashkon në një vepër të vetme artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Një masivitet në skenë, ashtu siç dhe është tradita shqiptare në raste lindjeje, vdekjeje dhe dasmash. “Rituali i jetës” është një vepër e stilizuar, folklorike, por e sjellë në mënyrë moderne. Regjisori dhe koreografi Arjan Sukniqi ka menduar që shfaqja të vijë si një zinxhir ritesh, që e kanë pikënisjen në gjëmën njerëzore, vdekja; për të kaluar më pas te dasma dhe në fund muzikali mbyllet me optimizmin e lindjes, për të dhënë mesazhin se jeta është e bukur. Për herë të parë një shfaqje me koreografi moderne nga Arjan Sukniqi, bashkon në skenë balerinët e baletit klasik dhe artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Muzikali “Rituali i jetës” do të vijë si një risi, duke ndërthurur historinë, traditën dhe modernen. Në koncept vepra ka elementë modernë, por ritualet e lëvizjeve janë tërësisht tradicionale shqiptare. Gjithashtu, një nga elementet më të veçanta sonte në mbrëmje do të jetë edhe muzika, ku disa prej pjesëve që do të luhen aty janë për herë të parë. Kompozitori Klodian Qafoku ka gërmuar në arkivat etnografikë për të përshtatur muzikën me ritualet tradicionale shqiptare. Me pak fjalë, spektatori do të shohë aty ritualin e jetës tradicionale shqiptare.