Vajkan, shkolla pa mur rrethues rrezikohen nxënësit
Rreth 280 nxënës së shkollës së bashkuar të fshatit Vajkan, në komunën Mbrostar të rrethit Fier rrezikojnë jetën përditë, pasi shkolla ku ata zhvillojnë mësimin, nuk ka mure rrethues. Makinat që kalojnë në autostradën Fier-Lushnje, jo pak herë janë futur në oborrin e shkollës, pasi karrexhata e rrugës është në kufi me vendin ku duhej të ishte muri i shkollës. Nxënësit të tregojnë se ka pasur me dhjetëra raste, kur makinat kanë fluturuar deri në oborrin e shkollës dhe për pasojë kanë shkaktuar plagosje të vogëlushëve. "Në fillim të javës u plagos një nxënëse e klasës së pestë, që ishte duke qëndruar në oborr në pritje të fillimit të mësimit. Kemi kërkuar disa herë ndërtimin e murit rrethues, por më kot" ka thënë Elisabeta Vila, një nga nxënëset e shkollës së Vajkanit. Edhe mësuesit e shkollës shprehin të njëjtin shqetësim dhe tregojnë se kanë porositur nxënësit e tyre që gjatë orëve të pushimit, apo dhe në pushim të gjatë të mos largohen shumë në oborr. "Nuk mund të bëjmë gjë tjetër, veçse t‘i porosisim të tregohen të kujdesshëm kur qëndrojnë në oborr, pasi si ata edhe ne jemi të tmerruar" thonë mësuesit. Këshilli pedagogjik, ka bërë një peticion ku kërkon ndërtimin e murit rrethues dhe ja ka drejtuar prej kohësh komunës Mbrostar, ku bën pjesë fshati Vajkan, si dhe Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë kreu i komunës Brostar, Vait Baçja, shprehet se për ndërtimin e murit duhet lëvruar një fond shtesë nga Ministria e Arsimit, sepse komuna nuk ka shumë fonde në dispozicion. "Në fillim të vitit arsimor, ne si komunë nuk kemi marrë fonde për rikonstruksionin e institucioneve arsimore dhe me aq pak fonde sa kishim ndërhymë në ato shkolla që kishin probleme, por vetëm për gjëra të vogla që lidhen me godinën dhe bazën materiale, ndërsa për murin e shkollës ku nxënësit me të vërtetë rrezikohen, duhet dhënë fond nga Ministria e Arsimit dhe të reagojë Drejtoria e Arsimit". Ndërkohë afro 250 nxënës që vijojnë arsimin 9-vjeçar dhe 30 të tjerë që ndjekin arsimin e mesëm në këtë shkollë, çdo ditë ndihen të kërcënuar për jetën.