E Diel, 1 Nëntor 2026

Të hënën mbërrijnë në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve

Të gjithë formularët A1 të maturantëve të këtij viti, por edhe të rinjve të tjerë që duan të kandidojnë për në shkollat e larta, do të mbërrijnë në Agjencinë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) ditën e hënë. Aktualisht këta formularë ndodhen në drejtoritë arsimore rajonale. Data e fundit e dorëzimit të tyre pranë DAR-eve dhe ZA-ve ka qenë 25 marsi. Menjëherë pas administrimit të tyre nga AVA dhe hedhja e të dhënave në data basen elektronike, do të dalë edhe numri përfundimtar i konkurrentëve të këtij viti për auditorët universitarë. Vetëm Drejtoria Arsimore e Tiranës ka shpërndarë rreth 5 mijë formularë A1 në të gjitha shkollat e mesme të qytetit për maturantët që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore. Me mbylljen e këtij procesi, MASH pritet të miratojë më 1 prill formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshirojnë të studiojnë), plotësimi i të cilit duhet të bëhet nga të rinjtë deri më 30 qershor. Nga ana tjetër, me mbarimin e mbledhjes së të dhënave të maturantëve, pritet të përcaktohet edhe fondi i pyetjeve prej të cilave do të përzgjidhet teza përfundimtare për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore. Fillimisht do të nisë puna për hartimin e testeve, që do jenë për dy provimet e detyruara, ku edhe për këtë vit një numër i caktuar specialistësh do të "ngujohen" në AVA për të formësuar modelin përfundimtar të tezës së provimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›