Vajushi bind Augsburgun

Pas Beg Feratit, i cili u transferuar në Freiburg dhe Odise Roshit, që iu bashkua Kolnit, Armando Vajushi mund të bëhet futbollisti i tretë shqiptar që do të transferohej këtë verë në Bundesliga.
Me cilësitë e tij, mesfushori ofanziv i ka bindur udhëheqësit e FC Augsburgut, në ndeshjen miqësore ndaj Greuther Furth (2:0), e cila u zhvillua të martën mbrëma. Ish-futbollisti i Vllaznisë së Shkodrës ka luajtur 75 minuta, duke asistuar në golin e dytë të Augsburgut, duke marrë kështu nota pozitive.
Udhëheqësit e klubit gjerman janë të gatshëm të nënshkruajnë me futbollistin e ri shqiptar, por së pari duhet të merren vesh me ata të Kolnit, të cilët e kanë primatin në këtë rast.
“Mund ta transferojmë vetëm nëse koordinohemi me Kolnin. Ky ekip e i mban të drejtat primare për ta blerë”, deklaroi menaxheri i përgjithshëm i Augsburgut, Andreas Rettig. Nëse Kolni heq dorë nga Vajushi, atëherë ai mund të përfundojë menjëherë në Augsburg.