E motivoi Ibra

Emir Bajrami është bërë njëri nga lojtarët kyçë të përfaqësueses së Suedisë, në kualifikimet për Euro 2012. Ndaj Finlandës, mesfushori kosovar e shënoi njërin nga pesë golat e verdhekaltërve.
Dhe, si rezultat të këtij suksesi, ai përmend takimin që kishte në hotel me Zlatan Ibrahimovicin, para kësaj ndeshjeje. Sipas 23-vjeçarit, sulmuesi i Milanit e ka motivuar shumë dhe kjo është arsyeja kryesore e këtij suksesi.
“Unë nuk e njoh mirë Zlatanin. Nëse them se e kam shok të mirë, jam gabim. Por, jemi kuptuar shumë mirë me të. Kishim një takim para lojës me Finlandën. Ai më pyeti se sa gola kisha shënuar në nivelin e ekipeve, ngase je i vetmi lojtar ofanziv i yni që nuk ke shënuar. Unë iu përgjigja se shënoja 7-8 gola me Elfsborgun, por i premtova se do të jem më efikas. Ai më tha se kjo është keq, do të duhej t’i shënoja 15 për një sezon”, kujton Bajrami për Sport-Expressen.
Dhe, në minutën e 83-të të ndeshjes Suedi – Finlandë (5:0), ish-ylli i Juventusit dhe Interit’ ia dhuron një top perfekt futbollistit të Twentes, i cili e shndërron në gol.
“Kur e shënova golin, i thashë: Kush nuk mund të shënojë? Takimi i mëhershëm me Ibrën ishte me të vërtetë i efektshëm. Ai kishte të drejtë, do të mundohem të shënoj sa më shumë gola që mundem”, shton Bajrami, i cili kishte festuar në mënyrë të veçantë me sulmuesin me prejardhje boshnjake.
Sa u përket kualifikimeve për Euro 2012, Bajrami kërkon nga ekipi i tij t’i mposhtë kundërshtarët kryesorë për pozitën e dytë, Hungarinë dhe Finlandën, për ta siguruar të paktën një vend në barazh.