Vajza e Berishës, zonjë e luksit

Deputeti socialist, Taulant Balla, ka bërë sot një tjetër deklaratë publike, ku akuzon të bijën e kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha Malltezi, se është mësuesja më e paguar në Europë dhe ka dëshmuar edhe me foto shtëpitë e shumta të saj në zona luksi, si dhe qiratë deri në 42 milionë lekë në vit që vjel 'kjo bllokmene e re' prej pronave të saj, të cilat Balla në deklaratën e tij i shoqëron edhe me fotot përkatëse.
"Siç kemi premtuar, po vazhdojmë sot dhe në ditët në vijim, me zbardhjen për publikun të pasurive të Bllokut të ri, tashmë me ngjyrë blu, të bllokmenëve të kësaj qeverie, të familjes biologjike dhe politike të Sali Berishës. Dje i kemi treguar publikut për pasurimin e habitshëm të vajzës së Kryeministrit, zonjës Argita Berisha-Malltezi, e cila është edhe mësuesja më e paguar në Europë me 12 milionë lekë në muaj. Por pasurimi i kësaj zonje nuk vjen vetëm nga mësimdhënia, megjithëse vetëm ky profesion i sjell 12 milionë lekë në çdo muaj", nis deklarata e Ballës.
Më tej ai vijon se, një shumë tjetër mjaft e madhe, për standardet e të gjithë shqiptarëve, jo për standardet e oborrit të pushtetit, sigurohet edhe nga qeratë dhe pronat e paluajtshme që kjo zonjë disponon në të gjithë Tiranën e madje edhe më tej. Siç mund të shikojmë nga vetë deklarimi i pasurisë së zonjës në fjalë, ajo përfiton 42 milionë lekë në vit nga qiratë marramendëse.
"Janë tre apartamente super luksoze në Tiranë, në Rrugën Mustafa Matohit, aty ku jeton edhe babagjyshi Kryeministër; në rrugën Lidhja e Prizrenit; dhe tek European Trade Center (ETC), të cilat janë prona të zonjës Berisha dhe që ajo thotë se i ka dhënë me qira", tregon Balla, i cili më tej bën edhe llogaritë:
Dhe çfarë qirash mblidhka: 900 Euro në muaj, 1170 Euro në muaj dhe 1450 Euro në muaj. Për t’ju treguar më qartë shqiptarëve të thjeshtë dhe me plot halle se cila është diferenca e vërtetë ndërmjet tyre dhe vajzës së Kryeministrit, mjafton t’u themi se sipas deklaratave të pasurisë të kësaj zonje, për njërin nga këto apartamente, atë në rrugën Mustafa Matohiti, ajo ka shpenzuar plot 378 milionë lekë për ta blerë. Bëhet fjalë për një “shtim në sipërfaqen e apartamentit” siç deklarohet nga vetë ajo, prej 121 metrash katrorë, vijuar nga blerja e një tjetër apartamenti tjetër në po atë kat, me një sipërfaqe prej 195 metrash katrorë, në total 316 metra katrorë apartament.
Sipas Ballës, pra zonja Argita Berisha, përveç pronave të tjera jeton plot salltanet në një kat të tërë pallati. Për këtë listë pronash pafund të paluajtshme duam ta pyesim edhe për një vilë qindra metra katrorë në Gjirin e Lalzit, vend i preferuar për oborrin e pushtetit dhe rezidenca verore e bllokut të ri blu. Një super vilë që po mbaron tashmë, pas shembjes së një vile tjetër. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto 200 milionë të ardhura, në deklaratën e vitit të shkuar shtohen edhe nja 8 mijë Euro, para xhepi, “pagesa të prapambetura nga aktiviteti tregtar”, që sipas vetë kësaj zonje e kishte ndërprerë dy vite më parë, për t’iu përkushtuar mësimdhënies./Indeksonline/