E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e Sami Frashërit ka ndaluar forcërisht ardhjen e eshtrave të të atit në Shqipëri

Nipi i vëllezërve të ndritur të historisë së Rilindjes kombëtare, vijon rrëfimin e tij me të panjohurat e mëdha. Orhan Jegeni rrëfen hollësitë e internimit të së ëmës së tij Irfane Jegeni, në ditët e vitit '78, kur në Tiranë mbërritën që nga Stambolli eshtrat e xhaxhait të saj Abdyl Frashëri. Historia e internimit dhe çastet kur makinat "Zisa" me karroceri morën plaçkat e mbesës së frashërllinjve, ndërkohë që Tirana skuqej nga fishekzjarret e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave në tokën e atdheut të tyre. Përse në varrezat e vëllezërve Frashëri në Kodrat e Liqenit të Tiranës, varri i Sami Frashërit nuk i ka brenda eshtrat e tij? Çfarë i ka deklaruar Kryeministri turk, Bulent Eçevit, kur në vitin '70, ambasadori ynë në Stamboll i ka kërkuar lejen të hapë varrin e Sami Frashërit të ndodhur mbi shtatë kodrat e Stambollit. Përpjekjet sfilitëse të qeverisë së Ahmet Zogut, i cili në vitin '37, kur Shqipëria do festonte 35- vjetorin e pavarësisë donte të sillte eshtrat e Frashërllinjve. Si mundi Ahmet Zogu që në atë vit të 35-vjetorit të pavarësisë, të sillte eshtrat e Naimit të madh të shqiptarëve. Protesta revoltuese e vajzës së Sami Frashërit, e cila ishte e shoqja e ministrit të Financave të Turqisë, kur mësoi se Qeveria shqiptare kërkonte eshtrat e frashërllinjve në atdhe, duke ndaluar forcërisht prekjen e babait të saj. Këto dhe të tjera, në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Orhan Jegeni.

( Vijon nga numri i kaluar )

Ndërsa folët për sjelljen e eshtrave të xhaxhait të nënës suaj, Abdyl Frashërit nga Stambolli, nga numri i kaluar zoti Jegeni, folët edhe për faktin se ajo është internuar në ato ditë paçka se ajo ishte pikërisht mbesa e drejtpërdrejtë e Frashërllinjve. Mund të përsërisim disi momentin e rrëfimit të historisë së mbërritjes së eshtrave të tij?
Siç ju tregova edhe nga intervista e numrit të kaluar, ceremonia e rivarrimit të Abdyl Frashërit pas sjelljes së eshtrave të tij nga Stambolli ka qenë shumë pompoze. Ajo ka nisur që në momentin kur arkivoli i tij hyri në kufirin tonë. Megjithëse, në të njëjtën natyrë vijoi që prej Stambollit. Gjatë gjithë rrugës, që prej Korçës, ku ishte organizuar miting dhe deri në Përmet, populli përshëndeste me krenari dhe emocion mbresëlënës lëvizjen e arkivolit të Abdyl Frashërit. Në Përmet turma i kishte kaluar përmasat e parashikuara. Ishte një grumbullim i paimagjinuar, ku që prej urës e deri në qendër të qytetit arkivoli kalonte mbi duar të popullit dhe shoqërohej nga duartrokitje të stuhishme. Kjo atmosferë ka vijuar deri në mesnatë, duke u shoqëruar me një koncert madhështor, në të cilin u këndua edhe një këngë e posaçme që i kushtohej ardhjes së Abdylit në vendlindje. Në atë kohë nuk ka munguar të përshëndeste edhe një delegacion i posaçëm, i ardhur nga Kosova vetëm për këtë ditë të veçantë në historinë e kombit. Çuditërisht të nesërmen ka rënë shumë dëborë, e cila kishte bllokuar rrugën për në vendlindjen e Abdylit, Përmetin. U gjet një traktor i SMT-së së asaj kohe, që hapi rrugën e dëborës derisa arkivoli shkoi në shtëpinë e lindjes së Abdylit.
Pas saj, para ditës së 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, arkivoli, me të njëjtin pompozitet ka mbërritur në Tiranë. Në Tiranë, kuptohet, gjithë udhëheqja komuniste do ta shoqëronte arkivolin, duke shfrytëzuar rastin për të prezantuar patriotizmin e madh kombëtar. I shoqëruar nga populli i shumtë ai ka shkuar në varret e posaçme të bëra në kodrat e Liqenit Artificial. Por ajo që ju kërkoni në lidhje me faktin që iu përmenda është se në gjithë atë ceremoni dhe në gjithë atë pompozitet nëna ime mungoi. Ajo në ato momente ishte në internim.
Kur e internuan nënën tuaj ?
Gjithë familja jonë u internua vetëm pesë ditë para se të sillnin eshtrat në Shqipëri.
Kush ju thërriti?
Na kanë thërritur në lagje dhe na kanë komunikuar se për arsye politike ishim dënuar me pesë vjet internim. Nesër do të vinin makinat dhe do të shkuleshim menjëherë nga shtëpitë, të cilat do të ziheshin nga njerëz të tjerë, siç dhe ndodhi.
Ku ju çuan?
Në Shetaj të Durrësit.
Çfarë ishte ky internim? Çfarë lidhje kishte me problemet politike pikërisht në atë kohë?
Por halla ime kishte qenë e shoqja e Haxhi Lleshit. Ajo tashmë ishte divorcuar dhe ishte dërguar në internim me lloj-lloj akuzash. Pas kësaj, ikëm edhe ne të gjithë si familje e vëllezërve të saj. Pra, babai im me fëmijët e të vëllezërve. Pra, u internua familja e babait.
Po nuk gjetën një datë tjetër, por pikërisht atë moment?
Po, nuk gjetën. Kjo kuptohet që ime më, të mos merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të Abdylit, pavarësisht se ajo duhej të ishte e para. Ju shpjegova nga numri i kaluar se nga mbesat direkt të Abdylit jetonte vetëm e bija e Samiut, që ishte në Stamboll dhe e pamundur të merrte pjesë, ndërkohë që dërgoi të bririn dhe nëna ime, e cila nuk mori pjesë fare se nuk u lejua.
Ju çuan si fis në internim?
Po, po. Kur ne morëm urdhër-internimin u shokuam shumë. Por më mbrapa pamë se me ne në të njëjtin vend erdhi dhe familja e Isuf Jegenit.
Halla juaj, që ishte e shoqja e Haxhi Lleshit, ku u internua?
Ajo u internua në Elbasan.
Dhe ju që të nesërmen shkuat në vendin e internimit?
Vijnë që në mëngjes tri makina. Saktësisht ka qenë data 6 maj 1978. Familja jonë hipi dhe u sistemua në dy makina, ndërsa në makinën e tretë u sistemua familja e xhaxhait.
Ku ju vendosën aty?
Na futën në ca kapanonë që ishin vetëm për kafshët, se për njerëzit as që bëhej fjalë. Madje, aty rrinin më shumë se dhjetë familje. Jo vetëm kaq, por ishte një tension i vogël i energjisë elektrike sa me zor skuqej llamba.
Ceremoninë e sjelljes së eshtrave e ndoqët nga televizori?
Çfarë televizor po thua, nga radioja e ndoqëm.
Sa ndenjët në internim?
Pas kësaj nuk kemi ndenjur shumë, pasi nëna ime i ka bërë një letër Enver Hoxhës. Gjetëm mënyrën që ajo të shkonte në tavolinën e zyrës së tij. Pas kësaj, si kaluan disa muaj sa të kryhej ky veprim, u urdhërua anulimi i internimit tonë. Kështu që u rikthyem, ndërkohë që në shtëpi kishin nisur të sistemoheshin njerëzit e sigurimit, por unë ua nxora plaçkat në rrugë se nuk më mbante më inati.
Le të kalojmë zoti Jegeni, sërish aty ku lamë rrëfimin tonë në lidhje me xhaxhallarët e nënës suaj. Siç kam ditur dhe siç edhe u shprehët juve në rrëfimin e kaluar, në varrezat e vëllezërve Frashëri, të ndodhura te Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, mungojnë eshtrat e Samiut apo jo? Pra, janë vetëm dy varre?
Po, është varri i Naimit dhe i Abdylit, pasi i Samiut është bosh.
Pse nuk janë marrë eshtrat e Samiut, keni informacion të saktë?
Për eshtrat e Samiut autoritetet turke, rregullisht si atëherë që janë marrë të Abdylit, edhe një vit më vonë kur u është bërë kërkesë zyrtare dhe vazhdimisht, kanë thënë "harrojeni Samiun! Ai është shkenca dhe kultura turke. Ai është drita dhe dielli. Ai jetoi 54 vjet dhe bëri 54 vepra!".
Ku gjenden saktësisht eshtrat e Samiut në këtë moment?
Varri i tij tashmë ndodhet në varret e famshme të Fari Kunit në Stamboll. Pra, ai është pikërisht në një nga shtatë kodrat që formojnë Stambollin. Aty, ai ishte varrosur me të shoqen, vajzën dhe djalin. Ka pasur një pjesë të tij toke dhe aty kanë bërë varrezën e familjes.
Çfarë madhështie ka varri i tij aty?
Varri i Samiut është një varr i thjeshtë, por shumë simbolik, i cili është ndërtuar nga shoqëria shqiptaro-turke "Dituria". Aty tashmë shkruhet Sheshedin Sami Frashëri dhe kjo është për meritë të së vjehrrës së tij, Eminesë, që ka insistuar që të shtohet Frashëri, pasi në Tyrqi ai thërritej Sheshedin Sami dhe nuk lejohej të citohej Frashëri.
Thatë se një vit më vonë si sollën Abdylin, është bërë kërkesë zyrtare nga Qeveria shqiptare?
Po, saktësisht ashtu. Një vit më vonë si morëm eshtrat e Abdylit, pra në vitin 1970, ambasadori ynë në Stamboll i ka kërkuar zyrtarisht Kryeministrit turk, Bulent Eçevit, eshtrat e Sami Frashërit. Ai është përgjigjur se, "Sheshedin Samiu, që do të thoshte Sami Frashëri, është një figurë e shenjtë e Turqisë moderne, që s'mund të ndahet prej trupit të saj dhe se aq sa ka bërë për Shqipërinë, po aq ka bërë edhe për Turqinë moderne. Le ta kemi të dy dhe ta nderojnë të dy shtetet", - ka mbyllur ai kundërshtimin e kërkesës për ambasadorin tonë në Stamboll.
Ndërkohë eshtrat e Naim Frashërit kanë ardhur në kohë të Zogut. Keni informacion të hollësishëm për këtë eveniment?
Eshtrat e Naim Frashërit janë marrë nga Stambolli në vitin 1937 me vendim të qeverisë së Zogut. Ka qenë pikërisht 35-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së vendit, kur është ndërmarrë nga Zogu kjo iniciativë këmbëngulëse deri në realizim të saj. Pra, këto janë parë rreth 60 vjet para eshtrave të Abdyl Frashërit që ju shpjegova më lartë.
Folëm për vendimin e Zogut për të sjellë eshtrat e Naimit. Si ka ndodhur konkretisht?
Ishte viti 1937, kur Shqipëria përgatitej të festonte me madhështi vitin e 35-të të krijimit të shtetit. Në atë kohë Ahmet Zogu ngriti një komision të posaçëm jo vetëm për të menaxhuar dhe organizuar festimet e jubileut të shndritshëm të shqiptarëve, por ai komision do të merrej edhe me evidentimin e figurave të mëdha patriotike, që kishin kontribuar në historinë dhe konsolidimin e kombit. Këto figura kryesisht ishin të Rilindjes Kombëtare. Kuptohej se vlerësimi më i madh për këto figura që kishin kontribuar fuqishëm për ekzistencën dhe konsolidimin e Shqipërisë dhe që kishin vdekur jashtë atdheut, nuk ishin titujt dhe dekoratat, por kryesisht të bëheshin përpjekjet për t'i sjellë në Shqipëri eshtrat e tyre. Mes shumë të vlerësuarve ishin dhe ato të vëllezërve Frashëri.
Pra, u vendos brenda vendit që ato të silleshin, por mendoj se ka pasur tratativa dhe goxha vështirësi, apo jo?
Pa tjetër që ka pasur, madje shumë të mëdha. Kështu, pas vendimit të komisionit për sjelljen e eshtrave të Naim Frashërit pikërisht në janarin e vitit 1937, Ahmet Zogu jep urdhër që të nisin bisedimet me Qeverinë turke. Përpjekja e parë ka dështuar. Ky dështim u konfirmua nga një relacion i kryekonsullit shqiptar në Stamboll, Asaf Xhaxhuli, i cili ia dërgonte më 10 shkurt 1937 ministrit shqiptar të asaj kohe, Ekrem Bej Libohova, ku i thotë se pengesë ishin bërë vetë pasardhësit e këtyre personaliteteve, sidomos pasardhësit e Sami Frashërit, të cilët ishin jo vetëm familje të mëdha, por ishin të lidhur si pjesë e administratës më të lartë të Qeverisë turke. Madje, Kryekonsulli Xhaxhuli shpjegonte se e bija e Sami Frashërit e quajtura Samije, e cila ishte ndërkohë e shoqja e ish-ministrit të Financave të Qeverisë turke, Rashid Beut, kishte shkuar vetë në Konsullatën shqiptare, madje shumë e revoltuar kishte thënë: Jam informuar se Qeveria shqiptare paska vendosur të ndërhyjë këtu me një komision për të marrë eshtrat e Naim Beut dhe sipas lajmeve të fundit, më rezulton se komisioni i përmendur do të ngarkohet edhe për mbartjen e eshtrave të atit tonë, Sami Bej. Unë në bazë të një letre që kam marrë nga kushëriri ynë, Mit'hat beu ( Frashëri), do që të mos lejohen edhe eshtrat e Abdyl beut të merren. Sa për të Naim beut, të veprojnë si të dëshirojë mbesa e vet, zonja Naime Xhelal Rusi, e cila ndodhet në Tiranë.
Dhe si vijoi pas kësaj situate të komplikuar që u paraqit?
Kuptohej qartë se situata ishte e vështirë, aq sa nuk flitej më për sjelljen e eshtrave të Abdylit dhe të Samiut pas ndërhyrjes refuzuese të të bijve dhe vajzave të tyre. Tashmë komisionit i ngelej vetëm të tërhiqej nga kërkesa e parë se mos sabotohej edhe sjellja e eshtrave të Naim Frashërit.
Si do t'i pengonin?
Por të bijat dhe djali i Sami Frashërit, siç citonte edhe kryekonsulli Xhaxhiu, duke qenë në pozicione të larta zyrtare kishin mundësi të pengonin marrjen edhe të atyre të Naimit. Prandaj u vendos që të mos flitej fare për të Abdylit dhe të Samiut. Pas këtyre komplikimeve të situatës për të mos mundur sabotimin e sjelljes së Naimit, komisioni kërkoi pajisjen me një prokurë të posaçme nga mbesa e tij, Naime Xhelal Rusi, e cila në atë kohë banonte në Tiranë.
Dhe kështu sollën Naimin?
Kur i thanë të mbesës së Naimit, pra Naime Xhelal Rusit, për nismën e qeverisë, ajo kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm për këtë punë në të cilin u përfshi edhe vetë për të marrë eshtrat e gjyshit në Stamboll. Në këtë kohë nga qeveria jonë u ngarkua Kryekonsulli në Stamboll që të bënte përpjekjet e nevojshme për të lehtësuar dhe koordinuar punën e komisionit të nisur nga Tirana. Konsulli i dorëzoi notën-kërkesë Zëvendësprefektit të Stambollit dhe i ka kërkuar në rrugë personale që të mundësonin lejen e marrjes së eshtrave të të ndjerit Naim Frashëri, të cilat duhej të vendoseshin në atdheun e tij.
Si iu përgjigj kësaj kërkese nënprefekti?
Ai ishte përgjigjur se, në bazë të ligjeve turke kjo gjë nuk përbënte ndonjë pengesë të madhe në lejimin eshtrave të Naim Frashërit, i cili vendlindjen e kishte pikërisht në Shqipëri. "Ligjet tona në fuqi - deklaroi saktësisht ai - nuk kujtoj që të imponojnë ndonjë pengim për këtë veprim, por bashkë me këtë, pasi i ndjeri Naim bej ka qenë shtetas dhe nëpunës turk, sidomos mbasi ka edhe të afërm të tjerë këtu, është e nevojshme që të merret edhe mendimi i ministrave kompetentë në Ankara, të cilët po ua referoj menjëherë që sot dhe me të marrë përgjigjen do tua njoftoj pa vonesë".
Dhe si rezultoi?
Vetëm një muaj më vonë pas kësaj negociate doli vendimi i Qeverisë shqiptare, që krijoi komisionin e posaçëm për të cilin ju fola pak më lartë, në të cilin u përfshi, siç ju shpjegova, edhe vetë mbesa e tij e ndodhur në Tiranë, Naime Xhelal Rusi.
Nga kush u kryesua ai komision, jeni në dijeni?
Patjetër që jam, se unë lexoj dhe shënoj çdo gjë që ka të bëjë me xhaxhallarët e nënës sime. Ai komision që do të shkonte në Stamboll për të marrë eshtrat e Naim Frashërit u kryesua nga Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, Nënkolonel Shefki Shatku dhe Kryekonsulli i mbretërisë shqiptare në Stamboll, Asaf Xhaxhuli.
Dhe pas kësaj i morën?
Ishte 18 prilli i vitit 1937 kur si ishin kryer të gjitha veprimet dhe tashmë ishin marrë eshtrat e Naimit, u bë ceremonia përkujtimore dhe e përcjelljes.
Ku u bë?
Ajo u Zhvillua në teqenë bektashiane në Stamboll, Merdiven Qoj. Si në nxjerrjen e eshtrave, ashtu edhe në ceremoninë e përcjelljes ka pasur nxënës shqiptarë dhe patriotë shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat e Turqisë.
Dhe kur mbërriti në Shqipëri?
Ka qenë pikërisht data 2 qershor 1937, kur eshtrat e Naim Frashërit të mbërritën në atdhe.
Pikërisht 60 vjet më mbrapa, në marsin e vitit 1978, në Shqipëri përfunduan edhe eshtrat e Abdyl Frashërit, që u vendosën së bashku me Naimin në Kodrat e Liqenit, të cilat ju i dini vetë. Kanë ngelur pa sjellë eshtrat e Samiut, kjo për shkak të fëmijëve të tij. Prandaj në varrezat e tyre, të piedestali i ndodhur në Kodrat e Liqenit, varri i Samiut është bosh. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›