Vajza e dhunuar, polici përjashtohet nga hetimi
Grupi hetimor e ka "shfajësuar" kolegun e vet për rrahjen e një adoleshenteje në Tiranë, e cila tentoi të vetëvritet, duke u hedhur te ura e Lanës, afër Rrugës së Elbasanit. Sipas policisë, Hysni Ç. nuk ka qenë i pranishëm në makinë, ku është goditur 18-vjeçarja me grushte, duke i shkaktuar fraktura të ndryshme, por ka shkuar në vendngjarje në momentin që ka dëgjuar se protagonistët ishin njerëz të familjes së tij. Policia tha fillimisht se në makinë ka qenë edhe punonjësi i policisë, por pas marrjes në pyetje të vajzës së dhunuar dhe vetë të dyshuarit ka rezultuar se ai nuk ka qenë aty. Për këtë ngjarje, policia tha se ka hetuar edhe SHKB-ja, e cila ka punuar për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje të rëndë brenda familjes. Ngjarja tragjike është regjistruar pikërisht mesditën e dy ditëve më parë te kryqëzimi i Unazës me Rrugën e Elbasanit, pikërisht te vendi i quajtur "Ura e Lanës". Vajza e re, gjimnaziste te "Myslym Keta", e cila njihet edhe si valltarja e shkollës, kishe marrë leje në familje për të festuar me rastin e "7 Marsit". Por, gjatë kësaj feste, familjarët e kanë parë vajzën e re dhe e kanë marrë me dhunë, pasi nuk e pranonin një fakt të tillë. Duke e goditur me pëllëmbë në fytyrë, e kanë futur në makinë dhe rrugës, kanë nisur ta godasin edhe më shumë, duke i shkaktuar plagë në fytyrë. Gjaku i ka mbuluar fytyrën nga plagët, ndërkohë që makina po afrohej drejt Urës së Lanës. Aty, punonjësi i policisë rrugore, i cili ishte me shërbim, ka vënë re brenda makinës vajzën e gjakosur, ndërkohë që një nga dy personat, të cilët ishin brenda, e ka goditur në fytyrë. Kaq ka mjaftuar dhe uniforma blu ka reaguar, duke bërë shenjë që makina të ndalojë. Menjëherë, vajza që ndodhej në bord, ka hapur derën dhe është ngjitur te parmakët e urës. Ajo ka kërcënuar që do të hidhej në lumë, por polici ka nisur negociatat me të, që mos të kryente një veprim të tillë.