E Diel, 1 Nëntor 2026

Kam frikë që Tetë Marsi të më gjejë në Shqipëri!

Do të ngrihesha rrëmbimthi nga karrigia ime me rrota nëse këmbët e mia do të ecnin. Me shpejtësinë e erës do të hapja të gjitha dyert për të dalë jashtë kësaj bote të poshtër e vocërrake nëse duart e mia do të më përgjigjeshin. Do të shikoja me përçmim përtej çdo dritareje xham-akullt e ekrani LCD të aparateve televizive nëse sytë e mi nuk do të ishin të verbët. Të gjitha këto dëshiroj çmendurisht t‘i bëj çdo 8 Mars që gjendem në Shqipëri, ashtu si edhe sot.

Nuk dua kurrsesi të përlyej festën tuaj as me mllefin tim për paradokset e vjetra e të reja, as me dhimbjen e të qenurit person fizikisht i kufizuar, por dua t‘u them se festat mund të mos jenë vetëm motiv për të festuar, përkundrazi ndonjëherë do të vlenin më shumë si motiv për të kujtuar. E ç‘të kujtosh! Të kujtosh, të mendosh, të mbash vesh çfarë mund të dëgjohet nëse ulet për pak ajo muzikë shurdhuese kur gratë bëjnë harem mes vedi. Në taverna ku nginjen me verë për të kënaqur orekset dhe bllokuar epshet, sepse gratë kanë zgjedhur të rrinë me gratë, por jo me të gjitha. Edhe sot kur burrat kanë liruar doganat e lirisë, të gjymtuarat nuk dalin dot. Më kot janë lodhur qytetërimet, revolucionet, ideologjitë apo filozofët të propagandojnë vëllazëri. Biologjia thotë se receptorët fillojnë dhe mbarojnë brenda lëkurës sonë. Askush nuk do t‘ia dijë për tjetrin, aq më tepër kur ky i fundit është shfaqur në skenë me minus. Me sa duket, empatia s‘është gjë tjetër veçse koncept teorik. Sot, në ditën ndërkombëtare të 8 Marsit, gratë me aftësi të kufizuara fizike ndjejnë nevojën për të rizgjuar vëllazërinë nëse kjo ekziston ende te njeriu. Ne duam t‘u bashkohemi atyre me të cilat ngjajmë prej natyre, përballojmë njësoj vështirë rolin e bashkëshortes dhe të nënës në një shoqëri ku pak të drejta njerëzore e sociale gëzohen, ku detyrat për shumëkënd peshojnë rëndë, po për disa edhe më tepër. Na diferencon vetëm një detaj. Veshjet vezulluese e makijazhet e shumëngjyrta mbulojnë realitetin e errët për të ashtuquajturat normale. I dhurojnë qytetit pamje zbavitëse. Gratë që sfilojnë për gra, duke formuar një rreth vicioz, nuk arrijnë të shohin pikën e rëndesës së pushtetit mashkullor nën të cilën ato përkunden të bindura e të vilanosura.

Parapëlqej të mos u drejtohem veçanërisht burrave, institucioneve, shtetit apo ndonjë "të forti" tjetër, sepse besoj te prirja e tyre e lindur për të komanduar dhe as pak për të menaxhuar. Dua të ftoj në gjykim këdo që ndihet femër dhe që ka provuar ndonjëherë të qenurit e diskriminuar. Dyshoj që të ftuarit janë shumë. Ju prisni 8 Marsin, prisni për të festuar, duke u përpjekur t‘i dhuroni vetes shumëçka të munguar gjatë një viti të tërë. Kërkoni të rivendosni barazinë që nuk arritët asnjëherë ta përdorni, qoftë edhe si aktorë politikë në shtetin tuaj mikroskopik familjar. Kërkoni të merrni vëmendjen që meritonit, kërkoni të fitoni kënaqësitë e humbura. Doni t‘u tregoni burrave dhe çdo kundërshtari tjetër se pushteti është i ndarë në degë dhe më shumë se kurrë, sot ai zhvendoset për nga ju. E tërë kjo maratonë kërkimi flet qartë për diskriminim. Kushdo e njeh. E risolla vetëm për të kujtuar hendekun që ekziston midis asaj ku duhet të ishit dhe pozicionit real. Duket sikur gratë me aftësi të kufizuara fizike i përjashtova nga ky realitet diskriminues. Në fakt, ato janë të përjashtuara vetvetiu. Hendeku i tyre midis reales dhe përfytyrimit është dyfish më i madh. Ju përpiqeni të integroheni në shoqëri, ndërsa ne përpiqemi të integrohemi mes grave.

Nuk e teproj kur pohoj se edhe vetë gratë na shohin si të huaja në lloj, duke na etiketuar si inferiore dhe pse pa dashur. Më shumë se sa pabarazia fizike, diferencimi social dhe barrierat mendore janë ato që ndajnë grupin tonë të madh në dy gjysma. Për se këtu feministet reshtin së luftuari për të drejta? Mund të gjenden vendosur në rolin e burrave tashmë dhe ne jemi shndërruar në prenë e tyre për ushtrim pushteti e autoriteti. Ne presim që gratë të jenë aleate e mbështetëse për të rrëzuar së bashku perceptimet e gabuara e stereotipat negativë për të arritur nivelin e dëshiruar të një statusi shoqëror. Ne presim që ju të jeni me ne në kërkesat tona për ta bërë më të lehtë mangësinë ton‘ fizike dhe jetën tonë sociale. Ne presim të forcojmë zërin e lutjes, duke qenë së bashku. Mos harroni që është e dhimbshme të mëshirohesh nga i mëshiruari. Ju s‘mund të na ndihmoni me keqardhje, as me lëmoshë dhe fjale ngushëlluese kur ne ngjajmë thuajse njësoj, jo vetëm fizikisht, por edhe historikisht në mënyrën se si trajtohemi.

Kam frikë që 8 Marsi të më gjejë në Shqipëri, sepse s‘jam dot grua, por monumenti i mëshirës që duhet të durojë shkarkesat emocionale e turbullirat mendore të të gjithë atyre të cilëve u vjen keq apo vetëshpallen kontrollues të gjithçkaje. Kam frikë që 8 marsi të më gjejë në Shqipëri, kur qendrat tregtare luajnë symbyllurazi me mua, duke më ftuar me reklama hipokrite t‘i vizitoj dhe nga ana tjetër më përzënë me pretekstin se pengoj qarkullimin me karrigen time me rrota. Më vjen të qaj e të qesh që diku në Perëndim, paraplegjikëve u respektonin edhe jashtëqitjen, duke u siguruar tualete të veçanta e ku s‘lejohej askush tjetër t‘i përdorte. Pikërisht në qendrat tregtare, reklamat e të cilat vërtet janë ftesa e nuk vjellin paturpësisht as hipokrizi, as degradim të njeriut si në Shqipërinë tonë të modernizuar, fatkeqësisht shterp. Kam frikë që 8 marsi të më gjejë në Shqipëri, kur fjala vëllazëri është herezi, pasi gratë s‘kanë dot kohë të përmbushin misionin e kësaj dite proteste për t‘u tubuar për të drejtat e tyre dhe të miat. Aleatet e mia neglizhente, gabimisht aktivizojnë kuzhinierët e restoranteve në vend të ligjvënësve e zbatuesve të politikave. Duke mos llogaritur që pjata të shijshme dinë të përgatisin edhe vetë, ndërsa të drejtat fitohen me trysninë e grupeve të interesit e protesta të sinqerta pa elemente paradash mode. Kam frikë që 8 marsi të më gjejë në Shqipëri, kur kronikat e edicioneve informative vënë përballë lokale të dyndura me festat e tejlumtura të grave dhe politikanë që shpallin rritjen e ndihmës sime sociale me 2 për qind. Më duket vetja e nëpërkëmbur nga të nëpërkëmburit dhe më vjen turp.

Më duket sikur Migjeni ka folur me gjuhën time qysh në vitet tridhjetë kur thoshte".

do herë shoh qarte e më qarte.

E vuaj thellë e më thellë.

Ja pra, edhe njëherë kuptojmë se ndryshon vetëm forma sepse shpirti është i njëjti, i ndjeshëm, i dobët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›