E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rruga e Kukësit është sukses ekonomik

Zyrtarë të qeverisë shqiptare deklaruan dje se rruga patriotike Rrëshen-Kalimash rezulton një sukses i jashtëzakonshëm ekonomik për shkak të fluksit të madh të makinave që kalojnë aty. Drejtori i projektit, Ylli Gjoni, deklaroi se në 20 ditë, gjatë së cilave rruga ka qëndruar e hapur, aty kanë kaluar mbi 110 mijë makina. Ylli Gjoni, drejtor për projektet e huaja në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve tha: "As nuk e kishim imagjinuar një fluks të tillë. Është një lajm i mirë, që ka arritur pikun këtë të diel. Pavarësisht se qarkullimi në tunel kryhet i kufizuar dhe automjetet shoqërohen, është një shifër e lartë. Ne kishim planifikuar një fluks prej 4 mijë automjetesh".

Mesatarisht, në aksin e vjetër rrugor qarkullonin 3 mijë makina në ditë në bazë vjetore. Në kohë sezoni turistik, fluksi dyfishohej. Sipas statistikave zyrtare, deri tani përmes rrugës së re kanë qarkulluar mesatarisht 5500 makina në ditë.

Sipas ekspertëve, ky në fakt është fluksi i zakonshëm i qarkullimit në segmentin Tiranë-Kukës gjatë verës dhe me përjashtim të faktit se në tunelin e Thirrës ka radhë të gjata për shkak të kushteve të sigurisë, asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur.

Rentabiliteti

Qeveria duket se arriti të zgjidhë përmes akrobacive juridike akuzat për keqpërdorim në tenderin për ndërtimin e rrugës, ndërsa tani ka vendosur të reklamojë "përfitimin ekonomik" që sjell ndërtimi i këtij aksi. Media pranë qeverisë kanë reklamuar me bollëk "rritjen e çmimit të tokës në Orosh", punësimin masiv në zonën e Mirditës etj. Së fundmi, vëmendja është përqendruar te fluksi i makinave që po vijnë nga Kosova dhe që po përdorin rrugën e re, si tregues i suksesit ekonomik të projektit. Asnjë ekspert jashtë qeverisë nuk ka dhënë ndonjë vlerësim shumë pozitiv mbi rentabilitetin e rrugës, ndërsa vetë zyrtarë të qeverisë nuk bien dakord me normat e kthimit.

"Rruga do ta shlyejë veten për dhjetë vjet", deklaroi drejtori i projektit, Ylli Gjoni, për agjencinë e lajmeve inxhinierike nce.co.uk. "Investimi do të shlyhet për gjashtë vjet", deklaroi Kryeministri Sali Berisha për BBC. "Ka një normë kthimi prej 16 për qind në vit", tha ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.

Rruga ka kushtuar deri tani 1.4 miliardë lekë për kilometër, sipas deklaratave zyrtare, ose 11.200 euro për metër linear. Disa ekspertë besojnë se rruga do të kërkojë së paku 60 vjet për të shlyer veten, ndërsa vlerësimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit thonë se do të nevojiten 280 vjet për diçka të tillë.

Rruga Rrëshen-Kalimash pritet t‘i kushtojë buxhetit të shtetit 50 milionë euro vetëm në interesa për kreditë e marra për ndërtimin e saj. Edhe sikur skenari i qeverisë për përfitime prej 50 milionë eurosh të jetë i saktë, këto para do të mjaftojnë për të mbuluar interesat, por jo amortizimin dhe mirëmbajtjen.

Gjithsesi, ndërtimi i autostradës shpresohet se do ta bëjë tregun e Kosovës më konkurrues për investimet e huaja për shkak të afrimësisë me detin. Supozohet se një pjesë e importit të mallrave që sot Kosova kryen përmes vendeve të tjera, do të zhvendosen në Portin e Durrësit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›