E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vala e njohjeve po përgatitet për vjeshtë

Beogad, 20 gusht - Edhe pse parashikimet e shefit të diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, se gjatë verës 35 shtete do të njohin Kosovën nuk dolën të sakta, vala e njohjeve po përgatitet për vjeshtë.

Hyseni është korrigjuar me deklaratën se Kosovën në shtator do ta njohin 10 vende, ndërsa Dushan Janjiç, drejtori Forumit për marrëdhënie ndëretnike, vlerëson se kjo është reale, shkruan gazeta serbe “Alo!”.

“Tani është sezoni i pushimeve vjetore, por shumë shpejt Egjipti do ta njoh Kosovën, pastaj disa vende latino-amerikane, për të vazhduar me njohjet nga shtetet evropiane.

Nga vendet tjera të BE-së, Greqia do ta njoh e para Kosovën, ndoshta para fundit të vitit. Ato që nuk e njohin, do ta bëjnë këtë me votimin e rezolutave në dobi të Kosovës”, thotë Janjiç.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, siç transmeton “24sata”, gjatë dy javëve të kaluara ka pasur rreth 50 takime me diplomatë për të siguruar mbështetjen për rezolutën e Serbisë, të cilën do ta shqyrtojë OKB në shtator. Gjatë kësaj kohe, emisarët specialë të presidentit serb, Boris Tadiq, kanë njoftuar me argumentet serbe liderët e 55 vendeve.

Megjithatë, edhe ana tjetër nuk pushon. SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe autoritetet kosovare kanë shtuar aktivitetet për bllokimin e rezolutës serbe në OKB, por edhe presionit mbi vendet që nuk kanë njohur pavarësinë, përfundon gazeta serbe “Alo!”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›