E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e pakursyer në angazhimet për Kosovën

Prishtinë, 19 gusht - Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka ka thënë se vendi i tij do të angazhohet në mënyrë të pakursyer për të ndihmuar Kosovën në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi, ndërsa presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka çmuar lart rolin e Shqipërisë në lobimin për sa më shumë njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, gjatë pritjes që i bëri ai të enjten ambasadorit shqiptar në Prishtinë.
“Republika e Kosovës do t'i jetë gjithmonë mirënjohëse Republikës së Shqipërisë për përkrahjen e madhe që ajo i kë dhënë vendit tonë në të gjitha proceset e deritashme”, ka thënë Sejdiu.
Presidenti i vendit, po ashtu ka vënë në dukje angazhimin e vazhdueshëm të zyrtarëve më të lartë të Shqipërisë për sigurimin e sa më shumë njohjeve të reja për Kosovën, duke vizituar dhe kontaktuar shtete me të cilat Tirana zyrtare ka bashkëpunim të ngushtë, në një kohë kur, pas mendimit të GJND-së, nuk ka arsye të vonohen njohjet për shtetin e ri.
Sejdiu dhe ambasadori Lauka kanë biseduar gjithashtu edhe për bashkëpunimin gjithnjë në rritje në mes të Kosovës e Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në drejtim të integrimit të plotë të të dy shteteve dhe të gjithë rajonit në institucionet ndërkombëtare.
Ambasadori Lauka përsëriti edhe një herë angazhimin e pakursyer të Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›