E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për pezullim të vizitave, ende në fuqi

Prishtinë, 20 gusht - Me një vendim të kryeministrit Hashim Thaçi janë suspenduar të gjitha vizitat zyrtare të përfaqësuesve të Serbisë, deri në marrjen e një vendimi tjetër. Vendimi nuk ka të bëjë edhe me vizitat private të zyrtarëve nga Serbia.
Autoritetet në Prishtinë mbajnë në fuqi vendimin për suspendimin e të gjitha vizitave zyrtare të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ky vendim i marrë në fillim të javës nga kryeministri Hashim Thaçi, vjen si rrjedhojë e, siç thuhet, deklaratave provokuese politike të zyrtarëve serbë, të cilët një prej kushteve për lejimin e vizitave në Kosovë, e kanë përmbajtjen nga deklaratat që nxisin reagime e tensione politike.
Për të enjten, ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, kishte paralajmëruar një vizitë në Kosovë, përkatësisht në fshatin Prilluzhë të Vushtrrisë, ku ai mëtonte të merrte pjesë në hapjen e një kopshti fëmijësh.
Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se Bogdanoviqit dhe zyrtarëve tjerë serbë u është suspenduar hyrja në Kosovë, deri në marrjen e një vendimi tjetër.
”Ne i kemi përcaktuar gjithmonë kushtet e hyrjeve dhe kohës së qëndrimit, si edhe natyrën dhe karakterin e vizitave. Në shumë raste ka ndodhur që nuk janë respektuar kushtet e hyrjes dhe ka ndodhur që ndonjë zyrtar të bëjë deklarime politike”.
“Duke u bazuar në këto përvoja dhe shkeljen e rregullave, është vendosur që vizita e paralajmëruar, e kërkuar për sot e ministrit serb, Bogdanoviq, të refuzohet”, thekson Krasniqi.
Ndërkohë, zëdhënësja e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Julia Rojter, thotë se ekzistojnë rregullat dhe procedurat lidhur me vizitat e zyrtarëve serbë të vendosura ndërmjet zyrës së BE-së në Beograd, përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë si dhe autoriteteve të Kosovës.
“Lejen e japin vetëm autoritetet e Kosovës. Kështu që zyrat e BE-së luajnë këtu vetëm rolin e lehtësuesit në këto komunikime. Ajo që mund të them është se BE-ja inkurajon të gjitha palët që t’i respektojnë parimet e veta dhe që të shfrytëzojnë çdo rast për vendosjen e raporteve të mira ndërfqinjësore”, thotë zëdhënësja Rojter.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se nuk mund të parashihet tash për tash koha apo afati kohor se sa do të jetë në fuqi kjo masë e suspendimit të vizitave të zyrtarëve serbë.
 “Suspendohen të gjitha vizitat e ardhshme që mund të kërkohen deri në një vendim tjetër. Ky vendim është në fuqi dhe do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër i cili mund të ndodhë apo edhe të mos ndodhë”, deklaron Krasniqi.
Vendimi i kryeministrit Thaçi ka të bëjë vetëm me vizitat zyrtare dhe jo ato private.
Thaçi, tashmë i ka njoftuar me vendimin e tij edhe autoritetet ndërkombëtare në Prishtinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›