Renaldo Rama “çmend” Bundesligën gjermane
Jetmir Halilaj
Renaldo Rama, mesfushori i talentuar shqiptar, pritet që gjatë ditëve të ardhshme të nënshkruajë me një nga klubet gjermane. 18-vjeçari i Kombëtares U-21 ka mahnitur trajnerin e Tus Koblenzit, Uve Rapolder dhe gjithashtu u ka lënë përshtypje shumë të mira menaxherëve të Hanoverit. Mes dy klubeve gjermane ka nisur një derbi i zjarrtë për të marrë shërbimet e mesfushorit shqiptar, i cili tri ditë më parë shkëlqeu në një ndeshje testuese me Koblenzin, madje shënoi dy gola e dha dy asiste në fitoren 5-0 të kësaj skuadre kundër SV Rosbah. Futbollisti është në kontratë me klubin grek të Olimpiakosit, por ka pak gjasa që të qëndrojë aty, pasi shumë ekipe kërkojnë shërbimet e tij.
Sipas komenteve të medias gjermane, Renaldo Rama mund të shndërrohet në fenomenin e ri shqiptar në Gjermani. Sipas faqes zyrtare të Tus Koblenzit, Rama, me driblimet e tij, shpejtësinë në aksione dhe harmoninë e treguar me shokët e skuadrës bindi trajnerin Uve Rapolder për vlerat që ka.
Trajneri
Tekniku i skuadrës së Koblenzit, Uve Rapolder, ka vlerësuar maksimalisht talentin shqiptar, madje ka pohuar në media se një lojtar se ai e pret një e ardhme e ndritur. “Rama është një futbollist shumë i talentuar, – është shprehur Rapolder dje për “Rhein Zeitung”. – Jo vetëm që ka aftësi të një lojtari të klasit të lartë, por ka edhe shumë personalitet, dhe këtë e tregoi që në ndeshjen miqësore që luajti me ekipin tonë. Mendoj se ai është një futbollist i vlefshëm për çdo skuadër”. Te Koblenzi luajnë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë: ish-sulmuesi i Kombëtares, Fatmir Vata dhe kosovari Njazi Kuqi.
Hanoveri
Koblenzi po përgatit ofertën për të marrë kartonin e 18-vjeçarit shqiptar, por ndërkohë, është futur në valle edhe Hanoveri i Altin Lalës. Lojtari që dje është duke u testuar te skuadra e Bundesligës 1 dhe nëse bind drejtuesit e këtij klubi, nuk përjashtohet mundësia që të nënshkruajë me të. Ndërkaq, kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, i pyetur nga mediat lokale ka dhënë vlerësime të mira për mesfushorin, madje ka thënë se është një nga lojtarët e rinj shqiptarë më të talentuar.
Olimpiakosi
Rama nuk do ta ketë të lehtë të shkëputet nga klubi i Olimpiakosit. Sipas medias gjermane, drejtuesit e skuadrës greke kanë vënë një çmim të kripur për kartonin e tij dhe kjo ka bërë që të frenohet klubi i Koblenzit. Mesfushori 18-vjeçar është vlerësuar shpesh nga media greke në të kaluarën, si një nga të rinjtë më të mirë te Olimpiakosi. Këmba e tij e preferuar është e majta, megjithatë ai e përdor mjaft mirë edhe të djathtën. Rama dallohet për teknikën, shpejtësinë dhe nuhatjen për gol.