Valdes lavdëron rivalin Casillas

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes ka lavdëruar homologun e tij nga rivali Real Madrid, Iker Casillas, para përballjes së skuadrave të tyre në La Liga të shtunën. Të dy, Valdes dhe Casillas, ishin pjesë e skuadrës spanjolle që fitoi Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut.
Valdes ishte portieri i tretë prapa Casillasit dhe të dytit Pepe Reina nga Liverpool. “Çfarë portieri! Është një gjë ta keni afër jush dhe diçka tjetër ta shikoni në televizion. Ju e vëreni se ai është vërtet i mirë”, tha Valdes gjatë një interviste për të përditshmen spanjolle El Pais.
“Kurrë nuk kam pasur rastin të punoj me të më parë dhe janë seancat stërvitore kur shihni kualitetet e një futbollisti. Iker është mbresëlënës. Fuqia që ka, besimi”, shtoi ai.
Kampioni në fuqi i Spanjës, Barcelona, kryeson në renditjen tabelore me tetë pikë më tepër se rivali Real, shtatë ndeshje para fundit dhe zhvillojnë “Classicon” të shtunën në Santiago Bernabeu.
Përballja do të jetë e para në atë që mund të jenë katër takime të tyre brenda më pak se një muaji, pas finales në Copa del Rey më 20 prill dhe mundësisë së ndeshjeve në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në fund të muajit prill dhe fillim të majit.