E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxehtë në Old Trafford

Chelsea synon të thyejë historinë në Old Trafford dhe të bëhet skuadra e parë që eliminon Manchester Unitedin nga Liga e Kampionëve, pas humbjes 1-0 në ndeshjen e parë në shtëpi. Por, Djajtë e Kuq do të jenë të vëmendshëm në kërkim të gjysmëfinales. Në takimin tjetër, Shakhtar Donetsk shpreson në një mrekulli përballë Barcelonës që ka epërsi 5-1. Nga Express më 12 prill 2011 në ora 09:57

Për menaxherin e Chelseas, Carlo Ancelotti, i gjithë sezoni e ndoshta edhe puna e tij do të vendoset në 90 minutat e udhëtimit në Manchester United të martën mbrëma.

Chelsea është eliminuar nga Newcastle në League Cup, është përshëndetur edhe nga FA Cup, ndërsa edhe pse ka një ndeshje më pak të zhvilluar, është tetë pikë prapa liderit të Premierligës, Manchester United, me gjashtë ndeshje para fundit.

Pikërisht Djajtë e Kuq e mposhtën 1-0 në Stamford Bridge javën e kaluar në ndeshjen e tyre të parë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kjo është gara e vetme në të cilën kanë shans ta fitojnë dhe mund të jetë rasti i fundit edhe për Ancelottin.

Asnjë menaxher nuk ka shpëtuar në Chelsea nga pronari Roman Abramovich pas dështimit të fitojë Premierligën dhe nëse nuk arrin të sjellë trofeun e parë të Ligës së Kampionëve, vështirë se do të mbetet në detyrë edhe Ancelotti.

“Kam shikuar dy-tre herë ndeshjen. Dua të provoj të bëj diçka të veçantë për ndeshjen e ardhshme. Më duhet të bëj gati diçka me të cilën mund të vëmë në vështirësi Manchester Unitedin. Për të fituar atje duhet të jepni 100 për qind në gjithçka. Dhe jo vetëm kjo duhet të përdorni personalitetin, guximin, duhet të kontrolloni lojën”, tha Ancelotti.

Por, historia është kundër Chelseas. Manchester United kurrë nuk është eliminuar nga një garë evropiane pas fitores në takimin e parë në udhëtim dhe vetëm dy skuadra në histori të Ligës së Kampionëve janë kualifikuar pas humbjes 1-0 në shtëpi në ndeshjen e parë.

Ancelotti për herë të parë këtë sezon ka në dispozicion ekipin e plotë, ndërsa Manchester Unitedit do t’i mungojë i lënduari Darren Fletcher. Mbrojtësi i djathtë Rafael është në dyshim. Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka theksuar se përballja nuk ka marrë fund, pavarësisht epërsisë së skuadrës së tij duke kërkuar nga futbollistët e tij të përfundojnë punën në Old Trafford.

Në ndeshjen tjetër, Shakhtar Donetsk shpreson në një mrekulli të futbollit për të rikthyer disavantazhin 5-1 kundër Barcelonës. Trajneri i Shakhtarit, Mircea Lucesco, ka thënë se “Barcelona tashmë është në gjysmëfinale”, por shumica e futbollistëve të tij nuk pajtohen me strategun rumun.

“Mrekullitë mund të ndodhin në jetë dhe në futboll. Ndoshta një e tillë mund të ndodhë të martën”, tha portieri Andriy Pyatov. Ndërsa sulmuesi Jadson shtoi: “Askush nuk priti nga ne të fitojmë Kupën UEFA dy vite më parë, por pikërisht këtë e arritëm”.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka paralajmëruar futbollistët e tij të mos e nënçmojnë Shakhtarin, pavarësisht epërsisë së lartë nga ndeshja e parë. Gjigantit katalan do t’i mungojnë të lënduarit Eric Abidal, Carles Puyol dhe Bojan si dhe Andres Iniesta i suspenduar.

Guardiola mund të vendosë të pushojë yjet si Xavi, Lionel Messi dhe Dani Alves për ndeshjen e fundjavës kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu. Shakhtari do të jetë pa kapitenin Dario Srna të lënduar njësoj si qendërmbrojtësi Dmytro Chygrynskiy, ndërsa mbrojtësi i majtë Razvan Rat është i suspenduar.

Çerekfinale:

Man Utd-Chelsea20:45
Shakhtar-Barcelona20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›