Arsenali amerikan

Arsenali pritet të bëhet klubi i pestë nga Premierliga me pronar amerikan pasi biznesmeni, Stan Kroenke ka arritur marrëveshje për blerje që e vlerëson klubin në 731 milionë funte.
Miliarderi Kroenke, i cili kishte 30 për qind të pronësisë së klubit londinez, ka njoftuar të hënën se kishte ofruar 11.750 funte për aksion dhe tashmë ka siguruar përkrahjen e aksionarëve të tjerë, Danny Fiszman (16.1) dhe Nina Bracewell-Smith (15.9).
Ai tani kontrollon 62.89 për qind të Arsenalit dhe sipas rregullave të panelit të blerjes, mund të paraqesë ofertë për aksionet e mbetura. Manjati i çelikut, rusi Alisher Usmanov është një tjetër aksionar i madh dhe mban 27 për qind të aksioneve nëpërmjet kompanisë së tij, Red and White, që ka refuzuar të komentojë se cilat janë planet e tyre.
63-vjeçari Kroenke, i cili sipas një publikimi të magazinës Forbes nga viti 2010 ka pasuri prej 2.8 miliardë dollarësh, tashmë ka në pronësi disa klube sportive nga SHBA-ja, duke përfshirë Denver Nuggets në NBA, Colorado Avalanche nga NHL, St Louis Rams nga NFL dhe klubin nga Major League Soccer, Colorado Rapids.
“Arsenali është klub i shkëlqyeshëm me histori dhe traditë të madhe dhe me një menaxher të mrekullueshëm si Arsene Wenger”, tha Kroenke në një komunikatë. “Ne synojmë të ndërtojmë trashëgimi të pasur dhe të udhëheqim klubin drejt sukseseve të reja”, shtoi ai.
Arsenali që gjendet i dyti në Premierligë, pas Manchester Unitedit, ka kaluar gjashtë vjet pa fituar asnjë titull nga triumfi i tyre i fundit në FA Cup më 2005. Topçinjtë kanë 62 pikë nga 31 ndeshje dhe janë shtatë pikë prapa Manchester Unitedit, me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa do të presin rivalin e tyre më 1 maj.
Tifozët janë të zemëruar derisa 13 herë kampioni i Anglisë ka mbetur prapa rivalëve si Chelsea Manchester City sa u përket shpenzimeve në përforcime, ndërsa mbetet të shihet se sa para do t’i kenë në dispozicion nga afati kalimtar i verës. Ndërkohë, Wenger ka mirëpritur lëvizjen.
“Kam punuar me Stan Kroenken në takime të bordit në vitet e kaluara dhe besoj se ai ka në zemër interesin më të mirë të Arsenalit”, tha francezi, i cili udhëheq ekipin nga viti 1996 për uebfaqen e klubit (www.arsenal.com). “Ai e njeh trashëgiminë e klubit, traditat dhe ambiciet për të udhëhequr klubin, në mënyrë e cila e mbron të ardhmen tonë afatgjatë”, shtoi ai.
Kryetari Peter Hill-Wood do të mbetet në pozitën e tij. Katër klube të tjera në Premierligë kanë pronarë amerikanë, Manchester United, Liverpool, Aston Villa dhe Sunderland, ndërsa Chelsea, Manchester City, Fulham, Birmingham City dhe Blackburn Rovers kanë po ashtu pronarë të huaj.