E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viza, pengesë për transferim

Valon Bajrami ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me ekipin finlandez Atlantis, por problemi me vazhdimin e vizës mund t’ia pamundësojë që karrierën ta vazhdojë jashtë Kosovës. Ish mesfushori i KEK’ut shpreson që gjithçka të zgjidhet gjatë këtij muaji. Nga Moral Pozhegu më 12 prill 2011 në ora 12:44

Problemet e kosovarëve me viza po reflektojnë edhe në futboll. Rasti i fundit është ai i Valon Bajramit, ish futbollistit të KEK-ut, i cili ka nënshkruar kontratë me klubin finlandez Atlantis, por që problemet me dokumente po ia prishin punët mesfushorit kosovar.

“Kam probleme me vizë. Shpresoj që kjo punë të zgjidhet sa më shpejt. Udhëheqësit e klubit po bëjnë përpjekje që ta zgjidhin këtë çështje. Më 22 prill do të dihet gjithçka, shpresoj që të shkojë çdo gjë në rregull”, ka thënë mesfushori kosovar për Express.

Bajrami ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me Atlantisin, i cili garon në ligën e tretë finlandeze (Kakkonen). 24 vjeçari ndihet mjaft i kënaqur me kushtet që ia ka ofruar ky klub, të cilin e konsideron si mjaft serioz.

“Unë kam nënshkruar kontratë për një vit me Atlantis para dy javësh. Ky klub më parë ka bërë gara në ligën e parë finlandeze, por problemet financiare kanë bërë që të bie në një kategori më poshtë. Jam i kënaqur shumë me kushtet që ofrohen këtu. Shpresoj të mbetem në Atlantis. Sezoni i ri këtu fillon pas tri javësh”, deklaroi ai.

Bajrami e kaloi pjesën më të madhe të karrierës në skuadrën e KEK-ut. Ai është njëri prej mesfushorëve më të mirë në Kosovë të momentit. Futbollisti prishtinas po qëndron që një kohë në Finlandë, ku gjeti angazhim.

Mirëpo, ai shpreson që të zgjidhet problemi me viza dhe ta vazhdojë karrierën në një kampionat më përparues, karshi atij kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›