Versionet e rrahjes
Incidenti i së dielës mbrëma në Palestrën e Sporteve ‘Minatori’ në Mitrovicë, ndërmjet basketbollistëve të Trepçës dhe atyre të Bambit, por edhe të tifozëve, nuk ka kaluar pa pasoja.
Kjo përleshje përfundoi me të arrestuar dhe të lënduar. Siç raporton Policia e Kosovës, pas incidentit të ndodhur, në polici janë shoqëruar 11 persona (lojtarë dhe zyrtarë), të cilët pas intervistës, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
“Ka ndodhur një përleshje në mes të dy klubeve, Bambi e Trepça. Përleshja është nxitur nga provokimi i dyanshëm. Policia ka shoqëruar në stacionin policor të Mitrovicës 11 persona të dyshuar se ishin përfshirë në këtë rast”, njofton zyrtari për informim publik i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti.
Sipas tij, përleshjen e kanë nxitur tre basketbollistë, të të dyja palëve, ndërsa me këtë rast kanë mbetur të lënduar tre anëtarë, po ashtu nga të dyja klubet.
“Përleshja është nxitur nga dy basketbollistë të Trepçës, Safet Mustafa e Drilon Hajrizi dhe nga një i Bambit, Igor Dashiq. Ndaj tyre janë iniciuar paraqitje penale për nxitje të incidentit, përfshirje në rrahje dhe shkaktim të lëndimeve të lehta trupore. Ky i fundit ka qenë edhe njëri prej të lënduarve nga kjo përleshje, së bashku me lojtarin tjetër të Bambit, Milosh Dashiq dhe trajnerin e Trepçës, Pançe Milevski”, shpjegon Hoti.
E gjithë kjo ka nisur para ndeshjes së paraparë të zhvillohet në Mitrovicë ndërmjet Bambit dhe Trepçës, kur palët u përfshinë në një rrahje masive, ku nuk u kursyen as karriget, përpos grushteve e shqelmave. Nuk mungoi as prania e shikuesve në parket, të cilët iu janë vërsulur lojtarëve të Bambit.
Bambi: Na sulmuan
Ndërsa drejtuesit e klubit nga Veriu i Mitrovicës e kanë treguar versionin e tyre, pas incidentit të ndodhur me Trepçën. Ata e fajësojnë totalisht kundërshtarin, për gjithçka që ndodhi në palestër.
“Nuk ka filluar përleshja për shkak të provokimit të anës sonë. Unë kam qenë duke biseduar me gjyqtarët dhe pas shpinës më ka sulmuar lojtari i Trepçës me numër 9, i cili ka filluar të më godasë, e më pas janë përfshirë të gjithë, por nuk ka pasur rrahje. Ka pasur vetëm sulm ndaj nesh. Mezi e kemi shpëtuar gjallë kokën”, tregon kryetari i Bambit, Igor Dashiq, për Express.
“Po të mos ishin disa zyrtarë të Trepçës dhe trajneri i tyre, sigurisht rasti nuk do të kalonte pa viktima. Kjo që ka ndodhur është një gjë e tmerrshme dhe turpëruese. Tek tash do të shihen pasojat”, shton ai.
Dashiq shpjegon se që prej fillimit, kur lojtarët kanë dalë në terren, rreth orës 19:30, rreth 50 tifozë, nga 200 sa ishin në palestër, kanë filluar ta gjuanin me gjësende kontingjentin serb dhe, sipas tij, nuk munguan as brohoritjet antiserbe.
Ai e pranon se mitrovicasit janë provokuar njëherë nga lojtari serb, Jugoslav Dashiq, por pasi Igori ia tërhoqi vërejtjen, më pas asnjë lojtar tjetër nuk ka guxuar të bëjë diçka. Ai tregon se ka kërkuar që të zbrazet salla, derisa të arrinin përforcimet e policisë, pasi në atë moment në palestër ndodheshin vetëm 4 policë.
Dashiq shpjegon se në ditët e ardhshme, përfaqësuesit e Bambit do të kenë takime të shumta. Ai kërkon më shumë siguri. Në të kundërtën, ekipi mitrovicas kërcënon me largim nga garat.
“Të gjithë duhet të na japin përgjigje për këtë që ka ndodhur dhe për mënyrën se çfarë do të bëhet që kjo kurrë mos të përsëritet. Basketbollistët janë të frikësuar dhe nuk janë të gatshëm të vazhdojnë, nëse diçka nuk ndryshohet”, thotë ai.
Dashiq shpreson që policia dhe prokuroria do ta kryejnë punën e tyre dhe do ta çojnë drejtësinë në vend, duke i dënuar të gjithë përgjegjësit, pa përjashtime.
Trepça fajëson Bambin
Trepça nuk ndihet aspak në faj, për ngjarjen që ndodhi të dielën mbrëma, para ndeshjes me Bambin. Udhëheqësit e klubit mitrovicas e dënojnë rastin, por nuk ndihen përgjegjës për atë që ndodhi.
“Ne nuk e kemi provokuar publikun, sepse publiku ishte i yni. Ata e provokuan publikun që nga fillimi me gjeste të pahijshme. Të gjithë e kanë parë këtë rast dhe mendoj se pajtohen kur them se ata e kishin fajin. Ishte kërkesë e ngutshme e tyre që të zbrazet Palestra. Bambi ishte vendës, kështu që ky klub do të duhej ta organizonte më mirë lojën. Sidoqoftë, ne e dënojmë këtë rast”, theksoi drejtori i Trepçës, Besim Braha, i cili njoftoi se të martën në mesditë drejtuesit e këtij klubi do ta kenë një takim me udhëheqësit e FBK-së.
Federata pret raportet
Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të martën (sot) pritet të takohen me udhëheqësit e klubit të basketbollit Bambi, pas incidentit që ndodhi të dielën mbrëma në Mitrovicë.
“Jemi dëgjuar me drejtuesit e Bambit, me të cilët do të takohemi të martën (sot) rreth orës 12. Nga ky takim do të mundohemi të dalim prej situatës së palakmueshme që u krijua të dielën. Nuk është mirë të ndodhin gjëra të tilla”, deklaroi komisari i garave i FBK-së, Nazmi Paçarada, i cili njoftoi se shtëpia e basketbollit kosovar po punon intensivisht rreth zbardhjes së këtij rasti.
“Jemi duke i kompletuar raportet, edhe pse nuk po e kemi të lehtë, sepse xhirimet televizive nuk ishin të qarta dhe nuk po na ndihmojnë shumë. Pas kësaj, do të dalim me një vendim”, shtoi ai.