Valdes preferon titullin në La Liga

Victor Valdes është duke kaluar sezon të shkëlqyeshëm dhe është favorit për çmimin e tij të katërt Zamorra, që i ndahet portierit i cili ka pranuar më së paku gola në La Liga. Por, portieri i Barcelonës ka prioritete të qarta:
“Do ta dhuroja Zamorran nëse nënkupton se do të fitojmë La Ligan”, tha ai për ueb faqen zyrtare të gjigantit katalan. Valdes nganjëherë duket si një spektator pasi kundërshtarët e Barcelonës kanë vështirësi t’i afrohen portës së tij, por kur ai duhet të reagojë, e bën këtë në mënyrën më të mirë.
Valdes është në formë të mirë e këtë e dëshmoi edhe të shtunën në fitoren 3-0 ndaj Racing Santanders, kur bëri disa pritje të mira ndaj Adrianit dhe Rosenbergut, duke mbajtur portën e pamposhtur për herë të 10-të këtë sezon. Në total ai ka pranuar 11 gola në 20 ndeshje.
“Do të ishte mirë nëse përsëri e fitoj çmimin, por prioritet është titulli në La Liga”, theksoi ai. I pyetur për mundësinë e përsëritjes së suksesit të trefishtë nga sezoni 2008/09, Valdes u përgjigj: “E kuptoj se njerëzit mendojnë për këtë, por si futbollistë ne e dimë sa vështirë është. Mirëpo, nëse vazhdojmë të luajmë kështu, fitoret dhe titujt do të vijnë së bashku”.