Zarate godet asistentin, tri ndeshje moslojë
Sulmuesi i Lazios, Mauri Zarate është dënuar me tri ndeshje moslojë, pas një kacafytjeje në përfundim të takimit në Bologna të dielën.
Zarate, i cili luajti pak më tepër se një pjesë loje pasi zëvendësoi përforcimin e ri Giuseppe Sculli në minutën e 41-të, ishte parë në xhirime duke goditur njërin prej asistentëve të gjyqtarit kryesor.
Bologna fitoi 3-1, por trajneri Alberto Malesani ishte i hidhëruar pas ndeshjes dhe theksoi se Zarate edhe pështyu në fytyrë mbrojtësin Matteo Rubin. Një kacafytje e mëhershme rezultoi me përjashtimin e mbrojtësit Andre Dias, ndërsa me karton të kuq u ndëshkua edhe Henry Gimenez nga bankina e Bolognas.
Por, më e keqja ndodhi pas vërshëllimës përfundimtare të takimit, kur shpërtheu kacafytja, në qendër të së cilës ishte pikërisht Zarate. Xhirimet televizive treguan se ai hodhi një top në kokën e mbrojtësit Matteo Rubin e më pas provokoi një zënkë me dy kundërshtarë të tjerë.
Ai u mundua të godiste mesfushorin Albin Ekdal, por aksidentalisht qëlloi kokën e anësorit. “Zarate e pështyu Rubinin. Nuk ishte nevoja për atë kacafytje, e cila shkaktoi kaos dhe prishi paraqitjen tonë të mirë në fitoren 3-1”, tha trajneri i Bolognas, Malesani.