E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, hapet qendra e parë e riedukimit për të miturit

U përurua dje zyrtarisht, Qendra e parë e riedukimit në vend, për të miturit që janë në masën e sigurisë arrest në burg. Qendra u hap në Kavajë, e ndërtuar dhe e pajisur nëpërmjet një projekti prej 2 milion euro të BE-së. Qendra është e para në llojin e vet në Shqipëri dhe sjell kështu në praktikë konceptin e drejtësisë riedukuese dhe re-integrimin përkundër

masave të ngushta ndëshkuese për të miturit në konflikt me ligjin. BE-ja vuri në dispozicion një shumë tjetër prej 750,000 euro për përmirësimin e aftësive profesionale të stafit që drejton Qendrën. Përgjithësisht, sistemi i drejtësisë i Shqipërisë nuk është ende i përshtatur për nevojat dhe veçoritë e të miturve në konflikt me ligjin. Kjo është e qartë veçanërisht kur bëhet fjalë për sistemin e para-burgimit ku të miturit shpesh mbahen në të njëjtën hapësirë të mbipopulluar së bashku me të rriturit. Gjithashtu, ka mungesa të konsiderueshme në aftësitë profesionale që duhen për tu marrë me të miturit në konflikt me ligjin. BE-ja i është përgjigjur herët këtyre nevojave dhe ndërtimi i Qendrës së Re-integrimit të të miturve në Kavajë është vetëm një nga shembujt e ndihmës së dhënë. Përveç hapësirave të izolimit, Qendra ka edhe klasa mësimi, punishte, hapësira argëtuese dhe mjekësore duke siguruar kështu infrastrukturën e nevojshme për të punuar për re-integrimin e të miturve në shoqëri. Të gjithë 39 të miturve që janë aktualisht në Qendër u jepet arsimi i detyrueshëm ashtu si bashkëmoshatarëve të tyre jashtë Qendrës, si edhe klasa formimi profesional; të gjithë marrin pjesë në punime në grup dhe merren me sporte në hapësira të brendshme dhe të jashtme në mënyrë që të përgatitet rikthimi i tyre i sigurt në shoqëri. Bashkë me ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës, BE-ja financoi gjithashtu përgatitjen e personelit të Qendrës për të punuar me të miturit në konflikt me ligjin. Përveç trajnimeve, personeli fillestar i Qendrës përfitoi edhe nga një udhëtim studimor në Hollandë për të mësuar nga funksionimi i qendrave të ngjashme në vendet anëtare të BE-së. Gjatë ceremonisë së përurimit në Kavajë, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Helmuth Lohan theksoi se jemi të lumtur që mundëm të ndihmonim Shqipërinë në sfidën e re-integrimit në shoqëri për të miturve në konflikt me ligjin. Ambasadori Lohan vijoi të theksonte se pas përfundimit të kësaj ndihme, qëndrueshmëria e personelit të trajnuar për të punuar me të miturit dhe planifikimi i buxhetit në të ardhmen për kostot operacionale të Qendrës mbeten kushte të rëndësishme për tu dhënë këtyre të miturve një shans të dytë, më të mirë. Ndërtimi dhe pajisja e Qendrës u financuan me 2 milion nga BE-ja. Projekti Në rrugën e duhur: Ngritja e një sistemi të drejtë parandalues dhe riedukues për të miturit në Shqipëri u bashkëfinancua nga agjencia suedeze e Bashkëpunimit për Zhvillimin Ndërkombëtar SIDA, 1.5 milion euro dhe nga BE-ja 0.75 milion euro, dhe u zbatua nga UNICEF.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›