Mungesa e regjistrave kompjuterikë kthen në monopol kartelën shëndetësore
Nëse jeton në kryeqytet e në pamundësi të librezës shëndetësore duhet të kryesh një vizitë tek qendra shëndetësore e lagjes ku jeton, aty ku stafi e ka të detyruar të hapë një kartelë provizore shëndetësore, për çdo pacient, është pothuajse
e pamundur ta realizosh këtë gjë. Përpos kësaj edhe në rastet kur në këto qendra shëndetësore mbërrin një rast urgjent, përpara se të marrë ndihmën e duhur, duhet që më parë të paraqesë në sportel ose tek mjeku specialist, librezën shëndetësore. Në pamundësi të kësaj të fundit, në shumë raste përveç faktit që ky dokument është kthyer kohët e fundit në monopol për një pjesë të madhe të pacientëve, mjekët e infermierët shpesh herë e neglizhojnë hapjen e një kartele provizore për të cilën janë të detyruar me ligj ta hapin deri sa personi të paraqesë dokumentacionin përkatës. Hapja e një kartele në një pjesë të madhe të qendrave shëndetësore, apo edhe në poliklinikat e kryeqytetit është kthyer tashmë në monopol prej faktit që në 80 për qind të rasteve në zyrat e informacionit të qendrave shëndetësore apo në poliklinika, mungojnë regjistrat kompjuterike në të cilët shënohen me numër rendor të gjitha të dhënat e pacientëve si atyre me librezë shëndetësore por edhe personave që duan të kryejnë vizitë por që nuk e disponojnë këtë të fundit. Sipas një vëzhgimi kryer nga gazeta SOT në pjesën më të madhe të rasteve nga qytetarët, hapja e një kartele shëndetësore e cila është detyrim ligjor i përcaktuar për stafet e qendrave shëndetësore nga ISKSH, dhe Ministria e Shëndetësisë, është pothuajse e pamundur për shkak të orvatjes pa shkak nga mjekët e infermieret. Disa prej pacientëve të pyetur ditën e djeshme nga gazeta, deklaruan që edhe pse në disa raste kanë pasur nevojë për mjekim ose vizitë të menjëhershme nuk u është hapur kartela shëndetësore sepse nuk e kishin të gjithë dokumentacionin e duhur, ndër të cilin për çdo vizitë që kryen duhet të kesh një vërtetim nga minibashkia e zonës ku jeton ose nga kryeplaku i lagjes.
Precedenti
Përpos kësaj në rastet më banale mjekët e infermieret i kanë sorollatur pacientët për ditë të tëra duke u kërkuar edhe pajisjen me kartelën shëndetësore në vendin ku kanë lindur e ku kanë kryer së fundmi vizitën shëndetësore. Kjo gjë sipas pacientëve është ordinere sepse shumica prej banorëve që jetojnë në kryeqytet janë të ardhur nga rrethet e në të tilla raste dokumentet ose kartelat shëndetësore në vite mund edhe të kenë humbur ose djegur gjatë vitit 1997. Këtë fakt e pranon edhe një prej specialistëve të ISKSH-së i cili ditën e djeshme deklaroi për gazetën se ministria e shëndetësisë bashkë me ISKSH-në janë duke aplikuar një skemë të re e cila do të decantrilizojë ose më saktë do të kthejë çdo shërbim me pagesë si në qendrat shëndetësore ashtu edhe në spitalet e vendit. Në një farë mënyrë dy institucionet më të mëdha në vend, realisht po eksperimentojnë me pacientët duke i lënë kështu për ditë të tëra në radhë të gjata pas dyerve të qendrave shëndetësore në pritje të një vizite edhe pse janë me librezë shëndetësore e me sigurimet përkatëse.
Kriteret
Një pacient duhet të shkojë në qendrën shëndetësore pranë lagjes ku jeton, duke pasur me vete librezën e kontributeve të plotësuar dhe një mjet identifikimi. Në qendrën shëndetësore çdo person mund të marrë edhe rekomandimin e mjekut që do tu ndjekë. Me këto tre dokumente, mund të hapni librezën shëndetësore në qendrën shëndetësore, ku ka një sportel të punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore. Dokumentet për të gjithë qytetarët që kërkojnë të hapin një librezë shëndetësore janë një vërtetim nga vendi i punës që tregon për derdhjen/pagesën e kontributeve, letër njoftimi, kod apo numër rendor që të japin tek ambulanca/spitali ku vizitohesh.
Arta AGOLLI