E Hënë, 2 Nëntor 2026

Valën e dhunës nuk e ndal as ligji

Ligji "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare" që është miratuar nga parlamenti shqiptar në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi në qershor të këtij viti, megjithëse u prezantua si një mundësi që do të organizonte punën e strukturave shtetërore për të frenuar dhunën dhe krimin në familje nuk po jep rezultate. Një baba djeg vajzën e tij, një djalë qëllon me thikë babain e tij, një 52-vjeçar tenton të djegë brenda në shtëpi nënën dhe motrën e tij, një burrë rreh barbarisht gruan e tij, sepse ishte zënë me komshiun, ndërsa një familje e tërë i lutet gjykatës që ta mbajë në burg djalin e shtëpisë, pasi ishte kthyer në tmerrin dhe rrezikun numër një për jetën e tyre. Kjo është tabloja e krimit në familjet shqiptare që po vazhdon të shtojë numrin e viktimave. Siç ishte parashikuar në këtë akt ligjor, prej kohësh në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë, janë krijuar strukturat e posaçme për të zbatuar detyrimet që rrjedhin prej tij. Por duket se koordinimi institucional mes këtyre strukturave lë shumë për të dëshiruar, pasi asnjë rezultat konkret i punës së tyre nuk është bërë ende i njohur, ndërsa numri i viktimave të bëra publike nga dhuna në familje rritet për ditë në mënyrë të frikshme.Stastistikat flasin me gjuhë të frikshme. Sivjet ka 16 viktima më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006. Ato që dominojnë më shumë janë krimet kundër jetës.

Pa synuar të depërtoj në detaje morale, shoqëria jonë e dënon këtë çdo lloj akti dhune brenda qelizës themelore të saj, por pak kush ka dalë të ndërgjegjësojë popullatën se ky fenomen ka marrë përmasa tragjike. Duket se krimi i fshehur i dhunës po shkatërron jetë të pafajshme. Konfuzioni social dhe varfëria janë bërë motivet kryesore të kësaj vale të gjerë krimi, e cila në vendin tonë ka ndodhur tradicionalisht ndërmjet familjeve të konfliktuara për çështje nderi dhe hakmarrje. Por në këto vite të një sistemi të sintetizuar demokratik, format e dhunës dhe vrasjeve familjare kanë marrë përmasa të tjera edhe më të frikshme. Ligji ekziston por nhuk respektohet. Zëri i të dhunuarve nuk shpallet, për shumë arsye të njohura e të panjohura. Dhuna në familje është shfaqur dhe ekziston në forma të ndryshme si: poshtërim, fyerje, rrahje me grushta, plagosje me mjete të ndryshme. Në dhjetëra anketime e studime të kryera me elementë të ndryshëm dhe specifikë të shoqërisë sonë rezulton se fëmijët kanë qenë dëshmitarë të dhunës midis prindërve, duke rënë shpesh edhe vetë pre e kësaj dukurie. Nuk është aspak e çuditshme që më vonë ata do të shfaqin probleme emocionale të sjelljes duke adaptuar sjelljet e të rriturve, ose mund të kenë sjellje agresive kur të krijojnë vetë familje. Ky është shembulli më i keq që kanë marrë nga gjiri i familjes dhe atë reflektojnë.

Njëkohësisht vendi ynë ka mungesa serioze të agjensive sociale të cilat mund të japin mbështetje për familjarët. Ekzistojnë disa qendra ndihmëse, por efektiviteti i tyre ka lënë për të dëshiruar, duke shtuar këtu edhe mungesën e besimit të familjarëve në të tilla institucione sociale. Krijimi i disa agjensive shtetërore do të ishte faktor thelbësor i zgjidhjes së këtij problemi dhe në bashkëpunim me komunitetin ato do të reduktonin në një numër të konsiderueshëm rastet e dhunës brenda familjes. Legjislacioni shqiptar është i pasur me ligje e norma që mbrojnë të drejtat e anëtarëve të familjes. Ratifikimi i shumë konventave të cilat i referohen të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përfshin edhe luftimin e dhunës në familje. Shteti shqiptar ka mirëpranuar këto konventa dhe është shprehur i gatshëm për aplikimin e sanksioneve të cilat shërbejnë si rregullator të funksionimit të demokracisë brenda familjes.

Përpos shumë mendësive dhe problematikave delikate që ofron kjo çështje, evidentimi i luftës së fenomenit në fjalë që ofron si zgjidhje reduktimin e rasteve të krimit në familje ka rezultuar të ketë mbetur vetëm në literaturë apo deklarata të gjithëllojshme të njerëzve me ose pa pushtet. Në këtë dukuri me dimension botëror dhe të shfaqur frikshëm prej vitesh në realitetin tonë në forma të ndryshme mbetet si zgjidhje krijimi i një zinxhirri të fortë bashkëpunimi mes vetë anëtarëve të shoqërisë dhe organeve shtetërore, të cilat duhet të ngrenë specifikisht disa struktura të posaçme sociale që do t’ju vijnë në ndihmë personave të dhunuar. Shembull mund t’u jepet dhunuesve jo thjesht me ndëshkimin e tyre penal por edhe atë moral para shumë njerëzve të tjerë sepse ata nuk godasin vetëm një ose disa perona, por mentalitetin e një shoqërie e cila i ka dhënë një rëndësi bazike mirëfunksionimit të familjes. Ndërsa ligji "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare" është miratuar nga parlamenti shqiptar, duket se për të frenuar dhunën dhe krimin në familje ka nevojë për një bashkërendim të institucioneve, të cilat në rastin konkret kanë mbetur në klasë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›