E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valencia e Udinese, pas Beqirajt

Afati kalimtar i verës mund të jetë vendimtar për të ardhmen e Fatos Beqirajt. Uebfaqja italiane tuttomercatoëeb.com shkruante të hënën se dy klubet evropiane, Valencia dhe Udinese, kanë shprehur interesim për sulmuesin kosovar.

Futbollisti i Buduçnostit, që ka realizuar 45 gola në tre sezonet e fundit, konsiderohet si njëri prej futbollistëve më me perspektivë të futbollit malazez në vitet e fundit.

Ai u kishte rënë në sy skuadrave evropiane edhe sezonin e kaluar, kur për të ishin interesuar Atletico Madrid dhe Benfica. Por, mungesa e sulmuesve në dispozicion në atë kohë, kishte bërë që drejtuesit e Buduçnostit të mos e lëshonin ish futbollistin e Shqiponjës dhe Besës.

Ndeshj kundër Shqipërisë, e veçantë

Për Fatos Beqirajn e marta do të jetë njëra prej ditëve më të veçanta të jetës së tij. Futbollisti kosovar, i cili e përfaqëson Malin e Zi, do të luajë kundër ekipit të tij të zemrës, Kombëtares shqiptare. Për të kjo do të jetë një ndeshje e veçantë.

Ai nuk e kishte menduar kurrë se do të luante ndonjëherë kundër ekipit në të cilin ka ëndërruar të jetë pjesë e tij. Mirëpo, ky është futbolli dhe profesionalizmi i mposht të gjitha.

“Është një ndjenjë e veçantë, pasi gjithmonë kam qenë dhe jam ende tifoz i Kombëtares shqiptare. E kam përcjell gjithmonë këtë ekip dhe është një ndjenjë e madhe për mua. E kam pasur ëndërr t’i shoh dhe të luaj përkrah futbollistëve të Kombëtares shqiptare, ndërsa tash më erdhi rasti të luaj ndaj tyre”, tha Beqiraj për Express.

Sulmuesi i Buduçnostit e di se vështirë mund të paraqitet nga minuta e parë, por ai shpreson të luajë të paktën disa minuta kundër Kuqezinjve. Përkundër ndjenjës së posaçme që e ndien, ai do të mundohet ta japë maksimumin për ekipin e tij, Malin e Zi.

“Unë tashmë jam profesionist dhe në fushë më duhet ta bëj lojën time, si në të gjitha ndeshjet tjera”, tha në fund njëri ndër futbollistët më të mirë të skuadrës malazeze Buduçnost.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›