Valentina Vezzali - Kampionia e skermës,mes medaljeve dhe familjes
Valentina Vezzali, është 36 vjeç, kampione e skermës me tri medalje ari olimpike e 5 tituj botërorë. Por jo vetëm. Teksa është gjithnjë në xhiro përreth botës, ajo duhet të bëjë edhe rolin e bashkëshortes dhe të nënës. është e martuar dhe ka një djalë 5-vjeçar me emrin Pietro. Thotë se është e lodhshme, por jo e pamundur. “Besoj se ka shumë gra si unë që duan punën e tyre dhe familjen. Sigurisht që ka raste që është stresante të menaxhosh role të ndryshme, por nëse ka pasion e mbi të gjitha mirëkuptimin e partnerit, sakrificat bëhen pa shumë lodhje”, shprehet ajo për mediat italiane. “Skerma për mua është një pasion prej fëmijërisë, por sigurisht që kam dhe momentet e mia të tensionit. Në vigjilje të ndeshjeve të rëndësishme, apo im bir nuk është mirë dhe kaloj netët zgjuar, nuk mund ta mohoj që jam e lodhur për t’u stërvitur dhe të përqendrohem”. Por gjithsesi ajo nuk do ta braktiste profesionin për asgjë në botë. Ajo nuk është nga ato gra që bëjnë si u thonë burrat. Siç mund të kuptohet nga sporti që ajo ushtron, i ka vënë qysh herët pikat mbi “i”. “E kam njohur bashkëshortin tim në Palma di Maiorca dhe qysh në fillim e kam vënë para faktit që jeta ime është përreth botës dhe nuk kisha ndër mend të hiqja dorë”, thotë Valentina.