E Diel, 1 Nëntor 2026

Gafë kuqeblu, fiton Skënderbeu



Leonard Karaj

Vllaznia fiton në fushë, Skënderbeu pritet të marrë tri pikët në tavolinë, sipas rregullores. Siç pritej, humbin Dinamo e Besa, fitojnë Tirana dhe Laçi.Një ngatërresë në protokollin e ndeshjes me shumë gjasa do t’i heqë skuadrës shkodrane fitoren e djeshme ndaj Skënderbeut. Vllaznia fitoi në fakt 3-2 në fushën e lojës, por do ta humbasë këtë takim 2-0 në tavolinë. Kjo, pasi ka aktivizuar një lojtar që nuk figuronte fare në protokollin e ndeshjes, pikërisht Ansi Nikën. Në protokoll ishte shkruar emri i Bekim Balës, ndërkohë që sulmuesi prej disa ditësh ndodhet në Francë, në provë te PSG-ja. Gabimi i shkodranëve është vërtetuar edhe nga gjyqtarët dhe vëzhguesi i ndeshjes në përfundim të takimit, që do të thotë se në bazë të rregullores përkatëse të aktivitetit, Vllaznia e humb ndeshjen (2-0) në tavolinë. Gjithsesi, për këtë duhet të shprehet në mbledhjen e radhës Komisioni i Disiplinës dhe vetëm pas vendimit zyrtar, Skënderbeu do të marrë edhe tri pikë në renditje. Kështu, zyrtarisht deri në vendimin e Disiplinës Vllaznia do të ketë 42 pikë (vendi i 5-të) dhe Skënderbeu, 33 pikë (vendi i 10-të), ndërsa më pas Vllaznia do të kalojë në vendin e 7-të me 39 pikë, ndërsa Skënderbeu në vendin e 8-të me 36 pikë.
Në takimet e tjera Shkumbini ka pritur në një sfidë të fortë bardheblutë e Tiranës. Por në një stadium të boshatisur, pasi fusha e Peqinit është dënuar me mospjesëmarrje të tifozëve për 3 javë, Tirana arriti të merrte një fitore të rëndësishme, duke marrë edhe vendin e dytë në renditje. Kjo edhe falë humbjes së Besës në Durrës. Kështu, trajneri Starova regjistron fitoren e tretë radhazi, në po aq ndeshje në krye të bardhebluve. Kujtojmë se Shkumbini ka humbur edhe një penallti në këtë sfidë, duke çuar dëm një mundësi të mirë për në luftën drejt Kupave të Evropës. Besa e Kavajës, që mbante gjithnjë vendin e dytë, luajti njëfarë derbi me Teutën fqinje, ku durrsakët kishin nevojë jetike për 3 pikë, sepse e shikonin veten të rrezikuar seriozisht. Falë një fitoreje të lexueshme 3-2, durrsakët e kanë ngushëlluar disi veten në luftën për mbijetesë që i ka mbërthyer, ndërsa verdhezinjtë e Besës kanë humbur edhe vendin e dytë në klasifikim, të cilin ua ka rrëmbyer Tirana.
Një ndeshje e lehtë në letër, por jo për të “fjetur mbi dafina”, dukej për Laçin, i cili priti në shtëpi Gramozin e rënë tashmë në Kategorinë e Parë. Fitorja e kurbinasve ka qenë e vështirë, minimale, 1-0, e realizuar në minutën e 39-të të pjesës së dytë të lojës. Kësisoj, ka qenë si të thuash një fund i lumtur për laçianët, të cilët kanë marrë 3 pikë të çmuara dhe vijojnë të shpresojnë për Kupat e Evropës. Nëse kishte një ndeshje, ku lufta sportive e vërtetë dhe e fortë ishte e garantuar, kjo ishte ajo e Vlorës, që u luajt mes Flamurtarit dhe Kastriotit. Fituan vendësit. Madje me një rezultat të pastër 3-0, duke iu larguar përfundimisht fundit të tabelës dhe ndonjë frike për ndeshje “play out”-i.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›