Evropianet, më jetëgjata, por më të dhunuara
Si ndihen gratë evropiane? Mirë dhe keq, thotë Raporti 2010 i Komisionit Evropian, dedikuar pikërisht shëndetit të grave. Sipas Andrzej Ryœ, drejtor i Public Health and Risk Assessment, që ka firmosur raportin, mes problemeve më të mëdha të shëndetit të grave mund të përmenden ato të hapësirës “psikike”, dhe depresioni është në vendin e parë, që godet dy herë më shumë gratë se burrat. Sipas raportit një në katër evropianë të rritur vuajnë nga sëmundje që prekin shëndetin mendor. Me kalimin e moshës, avancojnë rëniet dhe sëmundjet, mes të cilave dhe sëmundja e Alzajmerit (Alzheimer). Por edhe mosha avancon gjithashtu dhe janë përfundimisht më jetëgjata se burrat. Në disa vende, si në Lituani, diferenca me burrat është deri në 12 vjet.
Alkooli dhe dhuna
Një fakt shqetësues që del nga Raporti është ai i dhunës. Gjatë jetës së saj, 1 grua në 4 pëson dhunë seksuale, por vetëm 5-25% e tyre e denoncojnë këtë tip dhune. Arsyet mund të jenë turpi, stigma, apo frika se mund të bien sërish viktima të një dhune të tillë. Kjo lloj dhune shpjegon edhe numrin në rritje të shtatzënive të padëshiruara dhe aborteve. Sipas raportit, një në gjashtë përdhunime në moshat 12-45 vjeç, sjell këto pasoja.
Pastaj është dhuna në shtëpi, një tjetër plagë, jo e vogël, duke qenë që pësohet nga 6-10% e grave, çdo vit. Një tjetër fakt shqetësues mbi shëndetin e grave evropiane është tendenca në rrije e përhapjes së virusit HIV, me gati 20 mijë raste të reja, të regjistruara në vitin 2007, gati 25% më shumë nga ato që ishin regjistruar në vitin 2000.
është në rritje edhe konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë, që arrin deri në 50% të grave.
Ndërsa duhani konsiderohet si një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve në Evropë, shkaktar i sëmundjeve respiratore, kardiovaskulare dhe kancerit, vihet re një shtim i përqindjes së femrave duhanpirëse. Ndërkohë që haset një tendencë në rritje e konsumimit të duhanit nga adoleshentet femra, e cila duket më e lartë se tek meshkujt e së njëjtës moshë.
Vetëvrasja
Duke qenë se gratë vuajnë më shumë se burrat nga depresioni, atëherë edhe numri i vetëvrasjeve tek to llogaritet më i madh. Sipas Raportit, është dy herë më i madh numri i grave që tentojnë të vetëvriten, krahasuar me meshkujt. Vendet ku është arritur kurba më e lartë e vetëvrasjeve nga ana e grave janë Lituania, Sllovenia, Belgjika e Finlanda. Italia dhe Greqia janë në fund të “klasifikimit”.
Probleme me peshën
Vetëvrasjet në Shqipëri, 60 % femra
Ndërsa dikur mbaheshin të fshehura, sot rastet e vetëvrasjeve, jo vetëm që deklarohen, por ka edhe statistika mbi to. Pa e përfillur gabimin statistikor, në vitin 2008 në Shqipëri numri viktimave të vetëvrasjeve shkonte në 331. Jo pak për një vend të vogël si Shqipëria. Ashtu si tregon Raporti i KE-së, edhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim prej faktit se numri më i madh i viktimave të vetëvrasjeve janë femra. Sipas statistikave, të paktën 60 për qind prej tyre janë femra dhe më shumë se gjysma, nën moshën 30 vjeç. Forma më e përhapur e vetëvrasjes është vetëhelmimi, që është përdorur nga rreth 70 për qind e femrave. Në vend të dytë vijnë vetvarjet, pastaj armët e zjarrit, ndërsa më të pakta në numër janë hedhjet nga lartësitë (të përdorura përsëri në shumicë nga femrat) dhe vetëvrasjet me armë të ftohta, të përdorura nga meshkujt. Për vitin 2009, u tha se numri i vetëvrasjeve është në rënie, por nuk u raportuan shifra të sakta.
Dhe së fundi mbipesha. është një problem që haset si tek gratë dhe tek burrat evropianë, me gjithë pasojat që sjellin, sidomos në shëndetin kardiovaskular. Në disa vende si Austria, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar hasen më së shumti gratë obeze. Por gratë, duke qenë në shumicën e rasteve përgjegjëse për përgatitjen e ushqimit në shtëpi, janë në qendër të vëmendjes si një “shënjestër” e mundshme e shoqërive të komunikimit dhe sensibilizimit ushqimor, për të bërë të mundur që në shtëpitë e evropianëve të shkojnë pjata më të pasura, që ndihmojnë të mbajnë larg rreziqet që vijnë nga mbipesha dhe obeziteti.
Osteoporoza në mbërritje
Për shkak të ndryshimeve hormonale, për shkak të menopauzës, gratë janë shumë më tepër të ekspozuara ndaj osteoporozës se sa meshkujt. Kështu, tek seksi femër, pas të 50-ave, fillon e rritet rreziku i frakturave, që në shumicën e herëve janë si pasojë e rënieve. Më shumë të ekspozuara ndaj saj janë gratë me peshë të lehtë, duhanpirëset, ato që rrinë gjatë në shtëpi e nuk i ekspozohen diellit, që nuk bëjnë aktivitet fizik, diabetiket, apo që kanë pasur fraktura më parë.
Rritet niveli i përgatitjes
Tanimë seksi femëror ka bërë hapa të mëdha përpara, sa i takon përgatitjes, duke kaluar numrin e të regjistruarve në shkollat e larta edhe pse më pas, kur merren në analizë fitimet, janë shumë larg burrave. Fakti që gratë janë akoma të impenjuara për një kohë të gjatë me rritjen e fëmijëve dhe nevojat e shtëpisë, ka penalizuar kohën që ato mund t’i kushtonin karrierës.