Lindita Kodra - Pistoleta, emocioni që nuk kam ndjerë me një burrë
Sonila Merolli
Kur shkeli për herë të parë në Poligonin e Qitjes, nuk kishte prekur apo parë kurrë një armë, qoftë kjo edhe lodër. Fshehurazi së ëmës, Lindita Kodra, asokohe vetëm 13-vjeçe, nuk i rezistoi dot kërshërisë fëminore për të parë se çfarë kishte brenda asaj ndërtese në qytetin e Laçit. Ajo vendosi të shkelë në vendin ‘e bekuar’, pa e ditur se brenda asaj godine ishte ‘shkruar’ e ardhmja. “Kam dëgjuar të flitet për dashuri me shikim të parë, unë vetë nuk e kam provuar një emocion të këtillë me një mashkull, ama kur u futa brenda dyerve të poligonit çdo gjë m’u duk magjike. Kur mora pistoletën në dorë, m’u shtuan rrahjet e zemrës, jo nga frika sa nga ndjesia aq e papërsëritshme e atyre momenteve. Pistoleta më dukej e lehtë dhe sikur fshihte një magji që vetëm unë e ndieja, më saktë, një lodër aq e dashur për fëmijët, nga e cila nuk ndahen për asnjë çast”, kujton qitësja e ekipit Studenti. Teksa kapte për herë të parë një ’10 olimpike’, në tabelën e qitjes shumëkush që i gjendej pranë, por edhe ajo vetë menduan se ishte thjesht ‘fati i fillestarit’. Por kur për të dytën herë shënjoi sërish brenda dhjetave të tabelës, atëherë trajnerët e lanë hipotezën e rastësisë dhe fatit të mirë, duke e shtyrë të merrte sërish armën në dorë. Aty kuptuan se kisha nishan dhe se rastësia nuk kishte assesi lidhje. “Mbaj mend se nuk isha e ndërgjegjshme për atë që më priste. Nisa të gjuaj disa herë radhazi dhe më pas mora rrugën drejt shtëpisë me idenë se aventura ime rebele mbaroi. Por nuk kishte kaluar pa u diskutuar nga trajnerët, të cilët për dy muaj me radhë vinin përnatë në shtëpinë time t’i mbushnin mendjen nënës”, tregon Lindita duke e përligjur qëndrimin strikt të së ëmës, e cila nuk mund të mos vërente paragjykimet e asaj kohe mbi sportistet, aq më tepër në një qytet të vogël. Ishte pikërisht e ëma, që i dha shtysën për të shkuar drejt Poligonit të Qitjes, me idenë se ishte një tekë e moshës që do të shuhej aty për aty. Por, pasioni i adoleshentes laçiane nuk mbeti thjesht një kapriço moshe, përkundrazi, Lindita i ndiqte rregullisht teoritë vizive të disiplinës së qitjes dhe më pas praktikën në natyrë. “Më kujtohet se kam shkuar në Dardhë të Korçës për stërvitje, duke qenë se kisha stabilitet dhe nisa të marr nishan pemët. Edhe pse norma e kategorisë së parë ishte e ulët, më futën në ekipin e të rriturve”, rrëfen Kodra, pa dashur t’u largohet kujtimeve nga gara e parë. “Aktiviteti i parë ishte në Berat, me të rriturit. Dridhesha aq shumë nga emocionet, sa më dukej se ma kishte fajin temperatura e ulët. Megjithatë aty arrita rezultate shumë të mira, që nga ajo kohë më shihnin ndryshe në skuadër, çka më motivoi që ta shihja pasionin si një të ardhme”, shprehet Lindita. Por më shumë sesa e ardhmja e saj, tanimë që ka bërë një bilanc, qitësja e konsideron marrëdhënie e saj me pistoletën dhe tabelën, që qëndron diku 30 metra përballë saj si të papërsëritshme, dhe se ndihet me fat që qitja si disiplinë sportive nuk njeh moshë. Vetë ajo i ka kaluar 48 vite, por ja që nuk i kanë humbur as reflekset as shikimi i mprehtë, por mbi të gjitha ruan ende të freskët pasionin si nga kohët e adoleshencës, për godinën e Poligonit. Mendimet apo problemet sado të shumta që mund të ketë, mbeten jashtë asaj porte, pasi humbja e përqendrimit ka pasoja jo fort të këndshme. Me t’u futur aty në ‘botën e magjisë’, siç e quan ajo, ekziston vetëm dhjeta e saj olimpike dhe asgjë tjetër. “Po qe se mendon gjatë kohës që bën qitje, nuk ke shanse për të arritur rezultate. është sporti më delikat nga ana teknike, pasi për dy orë duhet të bësh të njëjtën lëvizje, të njëjtën frymëmarrje. është një botë tjetër disiplina dhe nuk ka lidhje me fjalën ‘armë, vrasje’ në konotacionin negativ, qitja ka elemente që duhet t’i unifikosh”, shprehet Kodra, e cila tregon më tej për ‘varësinë’ ndaj profesionit të saj. “Kur nuk shkoj një ditë në stërvitje më duket vetja si e droguarit që nuk kanë marrë dozën, nuk e mendoj se një ditë mund ta lë, pasi je gjithnjë në kërkim në perfeksionim, po u fute nuk del dot kollaj nga grackat e saj”. Para dy vjetësh u shpall Kampione e Evropës në Granada të Spanjës. Dhe rezultate të tillë nuk arrihen çdo ditë, në disiplinat e tjera të sportit, por ja që qitja i hodhi tej paragjykimet dhe pamundësitë. Për Linditën, kjo është një ngjarje e madhe, të cilën e ka falë praktikës shumëvjeçare me Rrok Lucajn, trajnerin që për vite me radhë u kujdes për ecurinë, më pas listës së falënderimeve i bashkëngjit emrin e ekipit Studenti, shefit Besim Rizvanolli dhe trajneres së saj Diana Mata.