E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valter Zenga, objektivi për stolin e kombëtares

Erald Kodheli, Gazeta "Shqip"
Valter Zenga është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares, pas largimit të trajnerit Oto Baric. Ish-portieri i kombëtares italiane ka qenë kandidat për stoli kuqezi edhe në korrik të vitit 2006, por në atë kohë, kroati 75-vjecar u preferua më shumë si alternativë. Me Zengën ende nuk kanë filluar bisedimet, por fakti që ai nuk është i impenjuar me asnjë skuadër e bën gjithcka më të lehtë. Klubet më prestigjioze ku ka punuar në të kaluarën 47-vjecari janë Cervena Zvezda në Serbi e Steaua dhe Dinamo e Bukureshtit në Rumani. Ndërkohë, në zyrat e FSHF-së kanë mbërritur CV-të e para. Bëhet fjalë për trajnerë jo shumë të njohur në arenën ndërkombëtare, të cilët shpresojnë që puna me përfaqësuesen shqiptare t‘u shërbejë si trampolinë për të ardhmen. Xhejms Anderson, trajneri me origjinë angleze është shprehur i interesuar, ashtu sikurse edhe holandezi Peter Juric dhe rumuni Kostandin Kostantin. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i FSHF-së, Nurishmi, i cili ka sqaruar se shqyrtimi i emrave do të bëhet pas shortit të Botërorit 2010, në bazë të së cilit do të përcaktohet edhe strategjia që do synohet të ndiqet për Kombëtaren. "Momentalisht këto janë tre CV-të që janë dorëzuar në zyrat tona, por shqyrtimi i emrave do të fillojë në një fazë të mëvonshme", pohoi ai. Ndërkohë, në mediat kosovare po përflitet edhe emri i Bylbyl Sokolit, që në kampionatin kosovar të pasluftës ka fituar disa tituj kampionë, e që Milanon e Kumanovës në Maqedoni e ka mbajtur kryesuese, pa pësuar asnjë humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›