E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valuta, ndërhyn BSH. Synohet frenimi i rënies së lekut

Euro ka pësuar rënie në treg. Sipas drejtuesve të agjencive valutore, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg, duke shitur valutë. Në këtë mënyrë shtohet sasia e euros në qarkullim, një veprim që synon frenimin e zhvlerësimit të lekut. 

TIRANE- Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun e këmbimit, për të frenuar zhvlerësimin e monedhës kombëtare, lekut. Drejtuesit e agjencive valutore bëjnë të ditur se ditën e sotme banka ka shitur një sasi të konsiderueshme valute me qëllim shtimin e saj në qarkullim.
Ky veprim synon të ekuilibrojë deri dilu kërkes-ofertën në tregun e këmbimit dhe të balancojë vlerën e monedhave. Si pasojë euro ka pësuar një rënie prej 0.5 lekëve kundrejt ditës së djeshme. Rënie ka pësuar edhe dollari si pasojë e ecurisë së bursave ndërkombëtare, në këto të fundit euro është forcuar duke u këmbyer me 1 dollar e 29 cent.
Ndërkohë në agjencitë e këmbimit monedha amerikane blihet me 101.5 lekë dhe shitet me 102 lekë, ndërsa euro tregtohet me 130.8 lekë në blerje dhe me 131.3 lekë në shitje. Agjentët në tregun e këmbimit shpjegojnë se gjatë ditëve të ardhshme, pritet një rënie e mëtejshme e euros për shkak së ndërhyrjes në treg të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë muajve të fundit leku është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt valutave, një situatë që ka rënduar të gjithë qytetarët që kanë marrë kredi në valutë, por edhe konsumatorët të cilët po përballen me rritjen e çmimeve në treg, si pasojë e shtrenjtimit të importeve. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›