E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vamos alla Playa ... por kujdes rrobat e banjës!

 

“Vamos alla Playa” është një këngë e famshme e krijuar në 1983 nga grupi muzikor Righeira dhe ka qenë hiti i verës për disa breza.. Është pikërisht koha e këtyre ritmeve, por para se të shkojmë në plazh, duhet të gjejmë një palë rroba banje të mira, apo jo..?

Fantazi floreale, vija, stampa me lëkurë kafshësh, qëndisje me temina... Rrobat e banjos të këtij viti, janë aq të ndryshme, sa vështirë se mbeten pa “kapur në grep”, çdo shije nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të sofistikuarat. Mjafton të kesh ide të qartë se çfarë kostumi dëshiron të veshësh këtë vit në plazh..

Takojmë Lindën, shitëse në një dyqan veshjesh të brendshme, dhe e pyesim si po ecin shitjet. “Shitjet e rrobave intimo, pothuajse kanë rënë fare..Tani që vera ka filluar, në qendër të vëmendjes janë rrobat e banjos. Interesimi ka qenë aq i madh, saqë shumica e rrobave të banjos të këtij furnizmi janë të porositura”, - tregon ajo.

Në përgjithësi koleksioni i këtij viti, që ti merr sytë nga vitrinat e butikëve dhe ambjenteve brenda qendrave tregtare, krahasuar me atë të vitit të kaluar, ka më shumë fatazi dhe më shumë kombinime ngjyrash.

Sigurisht, ato që janë më të interesuarat janë femrat, dhe më të paduruarat ndër to, janë ajo pjesë që sapo ka nisur të frekuentojë detin apo pishinat. Qëndrojmë për disa minuta në hyrjen e një dyqani veshjesh të brendshme në një prej qendrave tregëtare më të njohura të Tiranës... Gjatë kohës së bisedës me shitësen, hyjnë dhe dalin vajza, interesi i të cilave duket qartazi që janë rrobat e banjos.

E megjithatë, shumica dilte nga dyqani duarbosh. “Shif me sy e plas me zemër, - dëgjojmë shkarazi njërën nga vajzat që sapo del nga dyqani, bashkë me miken e vet shoqëruese.

Ilda, është një nga vajzat që gjatë kohës që ne jemi në dyqan, vjen të shikojë rrobat e banjos, ndryshe nga pjesa më e madhe që dalin dhe mjaftohen vetëm duke i parë, ajo del nga dyqani me një çantë në dorë. Ka provuar një palë rroba banjoje dhe ka vendosur ti blejë. Janë të firmës Dolcce Gabana dhe kanë kushtuar 120 euro.

“Kur vjen puna tek rrobat e banjos, nuk më pëlqen të kursej- thotë ajo- jo se dua të shpenzoj sa më shumë, por këto më pëlqyen aq shumë, saqë nuk mund ti lija. Gjatë pushimeve, një pjesë të konsiderueshme të ditëve e kaloj buzë detit, ndaj dua të ndjehem sa më rehat. Pastaj këtë gusht kam dasmën dhe kemi vendosur që muajin e mjaltit ta kalojmë në Turqi, kështuqë besoj ja vlen ky shpënzim, sepse vërtet më rrinë shumë bukur”- thotë në fund, duke vënë buzën në gaz.

E në fakt, po ta mendosh, për një rast të tillë ndoshta ja vlen, por sa mund të përballohet ky çmim për vajza të tjera?

Çmimet e rrobave të banjos lidhen me markën e prodhimit. Firmat e njohura si Cavalli, Navigare, Luna, Dolcce Gabana, Benetton, Fendi, kanë çmime që variojnë nga 80 euro deri në 200 euro. Shumë për xhepin e vajzave të Tiranës, por jo të papërballueshme për atë pjesë të vogël të femrave që na shikojnë përditë nga ekranet e TV apo kopertinat e revistave. Dhe në fakt emrat e disa prej tyre i gjejmë në listë-pritjen e disa butikëve të shtrenjtë. Në konfidencë, shitëset na thonë se disa nga emrat e njohur të kësaj kategorie, kanë bërë porosi nga katalogjet e rrobave të banjës së kësaj vere, që i gjen në butikë dhe në ambjentet e posaçme të qendrave tregtare.

Për vajzat që nuk mund t`ia lejojnë vetes këtë luks, ka versione të tjera. Tregu i hapur dhe dyqanet e shumta, ofrojnë çmime të ndryshme, që gjithsesi nuk janë më të ulëta se 3.500 lekë të reja. Megjithatë, shumica e vajzave munden ti blejnë me këtë çmim dhe në këto dyqane në fakt, shkojnë dhe pjesa më e madhe e vajzave.

Këto rroba nuk mund të krahasohen për nga cilësia me ato të “alta modës”, por gjithsesi janë cilësore dhe duken bukur në trup nëse gjen masën e duhur.

Ka dhe nga ato vajza që preferojnë të kenë më shumë se një palë rroba banjoje në garderobën e tyre të plazhit. Marsela është një prej tyre dhe tregon për ne. “Nuk mendoj se ja vlen të shpenzosh aq shumë lek për një palë rroba banjoje, unë personalisht zgjedh të ble një cilësi tjetër e të kem në garderobën time 2 ose më shumë palë rroba banjoje. Kaloj shumë ditë buzë detit, apo buzë pishinave dhe kam dëshirë që ti ndërroj rrobat e banjos, qoftë ngyrën, qoftë dhe modelin. Po të ble një palë nga ato shumë të shtrenjtat, jam e detyruar të kem vetëm ato, në garderobën time..”.

Tregu ofron dhe një mundësi tjetër edhe më të lirë, por nuk ua këshillojmë. Bëhet fjalë për ato që në zhargonin popullor njihen si “tezgat e gabit”, ku një palë rroba banjo kushtojnë vetëm 200 lekë të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›