Gjirokastër, nën hetim 5 dosje të 97-ës
Policia e Gjirokastrës vazhdon punën për zbardhjen e ngajrjeve të vjetra dhe vendosjen përpara ligjit të autorëve të tyre. Së fundi specialistët e Zyrës së Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër bënë të munsur zbardhjen e plotë të grabitjes me armë në Qafën e Muzinës në mars të vitit 1997 si dhe identifikimin dhe ndalimin e dy personave të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Ndërkohë specialistët e kësaj zyre kanë në duar elementët hetimor edhe për pesë ngjarje të vjetra të ndodhura gjatë vitit 1997. ” Një nga detyrat tona parësore është rihapja e dosjeve të vjetra dhe kryesisht të atyre të vitit 1997”, thotë shefi i Zyrës së Krimeve të Rënda, Afuz Basha. Në këto dosje hetimore përfshihen ngjarje të rënda si grabitje me armë, vrasje dhe vjedhje në përmasa të mëdha. “Pjesë e punës së policisë së Gjirokastrës nuk është vetëm zbardhja e ngjarjeve të rënda të ndodhura gjatë vitit 1997 por edhe dokumentimi dhe vendosja përpara përgjegjësisë ligjore e autorëve të ngjarjeve të tjera të vjetra”, thotë Basha. Gjatë gjithë punës për dokumentimin ligjor të ngjarjeve të vjetra specialistët e policisë së Gjirokastrës kanë bashkëpunuar edhe me organet e hetimit dhe drejtësisë në jug të vendit.