E Diel, 1 Nëntor 2026

Whithers sërish kritik ndaj qeverisë: S'ka strategji kundër trafikut të njerëzve

Ndërkombëtarët i kanë tërhequr vëmendjen qeverisë ditën e sotme për rritjen e shifrave të trafikut të qenieve njerëzore.

Ambasadori amerikan në Tiranë, John Whithers, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch dhe ambasadori i KE-së, Helmut Lohan i bëjnë thirrje qeverisë të vërë në zbatim strategjitë e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, të cilat janë ende në letër.

“Qeveria shqiptare nuk ka zbatuar asnjë strategji në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve” – tha Whithers.

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch deklaroi se: “Zbatimi i masave për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve është ende në nivel të dobët”. Sipas Bosch ka mospërputhje mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe ato të organizatave ndërkombëtare. Ambasadori i OSBE i bëri thirrje qeverisë të intensifikojë përpjekjet në kuadër të luftës së këtij fenomeni shqetësues.

Në fjalën e tij Ambasadori i Këshillit Evropian për Shqipërinë Helmut Lohan tha se shpresonte që BE do të vazhdonte të financonte projektet kundër trafikimit por “zbatimi i çdo iniciative është gjëja më e rëndësishme dhe çelësi i suksesit”- theksoi Lohan.  Në këtë konferencë Ministri i Brendshëm Bujar Nishani prezantoi strategjinë e qeverisë 2008-2010 për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve .

Ndërkohë që Kryeprokurorja Ina Rama duket se nuk është dakord me fjalët e ndërkombëtarëve dhe shprehet se trafiku ka ndryshuar formë dhe s’është aq agresiv sa ishte dikur.

Shqipëria, shifra të frikshme në vite

Ballkani mbetet një nga zonat e transitit dhe njëkohësisht burim i trafikut të qenieve njerëzore. Ky është një tjetër përfundim i Raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara duke deklaruar se trafiku i qenieve njerëzore, është edhe trafiku i dytë i paligjshëm në Ballkan. Ashtu siç e përcakton raporti i OKB-së, nga Ballkani futen në Evropë rreth 120.000 emigrantë në vit, klandestinë ose më pak, por të gjithë të destinuar të zgjasin rrjetin e prostitucionit, të punës së zezë ose të shfrytëzimit. Dhe sërish, vendi më i goditur nga trafiku është Shqipëria.

***Sipas Raportit të Komisionit Europian për vitin 2007, nga 227 femra të identifikuara si të trafikuara, vetëm 20 prej tyre mundën që të padisin tutorët e tyre. Sipas Raportit të OKB, ky është një lajm i keq, që tregon nivelin e ulët të luftës nga këtij fenomeni në Shqipëri. Në një raport të bërë për Italinë, viktimat nga Shqipëria si rezultat i trafikimit zënë vetëm 2% të kësaj kategorie. Por një pjesë e madhe e këtyre viktimave mbeten të paidentifikuara përsa i përket vendit të origjinës. Kjo shifër shkon në 40 për qind e të gjithë viktimave. Rreth 34 për qind e viktimave të trafikimit në Itali vijnë nga Maqedonia, duke përbërë edhe grupin kryesor të kësaj kategorie

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›