Van Gal: Murinjo? Do vetëm fitore, unë edhe lojën
MYNIH- Po pse, më falni, ju besoni? është kjo përgjigja e dhënë nga Luis Van Gal për pyetjen nëse pret një Inter sulmues në finalen e Champions League në Madrid. Tekniku i Bajernit pret që të përballet në “Bernabeu” me një kundërshtar me karakteristika të ndryshme nga skuadra e tij. “Interi është skuadër që lëviz si një bllok”, tha ai, duke e krahasuar me vetë Murinjon, ish-nxënësin e tij. “Interin e vlerësoj për mentalitetin fitues, duket dora e një trajneri si Murinjo, - tha Van Gal. – Ai ka qenë gjithnjë kështu, që kur ishte ndihmësi im. Do të fitojë me çdo kusht, ndërsa unë mendoj edhe të zbavis publikun. Kjo është ajo që e ka çuar kaq lart, duke më habitur edhe mua. E dija se kishte talent, por s’e mendoja të shkonte deri këtu dhe mendoj se vjen pikërisht për shkak të dëshirës së tij të madhe për të fituar kudo”, shtoi ai. Kur i kërkohet të bëjë një krahasim mes vetes dhe Murinjos, Van Gal përgjigjet edhe me pak ashpërsi. “E vetmja gjë e përbashkët në mënyrën time të stërvitjes dhe të tijës është sjellja në adresë të lojtarëve tanë, dimë të jemi shefa, - u shpreh holandezi. – Por, Zhoze e thashë që dëshiron vetëm të fitojë, ndërsa unë edhe të zbavis publikun. Dhe kjo e fundit nuk është aspak një aspekt i dorës së dytë”. Kampion i Holandës me AZ Alkmar vitin e shkuar, kampion i Gjermanisë këtë vit. Por, Van Gal ka një ide fikse: të fitojë trofe duke zbavitur edhe tifozët. “Të merresh me cilësinë e lojës nuk do të thotë të mos interesohesh për rezultatin, - thotë ai. – Unë jam konsideruar dishepull i Rinus Mishels, babai i futbollit total... Jemi duke folur për dikë që ka fituar në vitet ‘70. Sigurisht, unë ndjek një rrugë më të vështirë nga ajo e Murinjos. Dhe është më e rrezikshme, sepse ndonjëherë fitoret nuk vijnë menjëherë dhe pankinë nis të lëkunder”. Pra, konkretësia e Murinjos i pëlqen Van Galit, por më pak estetika e lojës së kampionëve të Italisë. Ndërsa holandezët e tjerë të Bajernit, pak për traditë dhe pak për besnikëri ndaj trajnerit të tyre, mendojnë njësoj. “Interi në Barcelonë nuk ka ofruar një spektakël të madh futbolli, - thotë kapiteni i Bajernit Mark Van Bomel. – Por, duhen kuptuar, pasi çfarë mund të bënin tjetër për të arritur kualifikimin?”, tha ai. “Dhuntia më e mirë e skuadrës me të cilën do të ndeshemi të shtunën është aftësia e saj për të luftuar, - shprehet Arjen Roben. – Janë 11 luftëtarë që dinë se çfarë është kolektivi. Ua ka mësuar Murinjo, sepse ai është një shef i vërtetë. Kur flet heshtin të gjithë. Më ka stërvitur te çelsi, di diçka...”, shtoi ai.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)