E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret Zimmon: Bashkëpunim të frytshëm me ICITAP

TIRANë- Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti sot në një takim Zv.drejtorin e Përgjithshëm i ICITAP Z.Garret Zimmon. Basha njohu zyrtarin e lartë pranë Departamentit të Drejtësisë së SHBA me arritjet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit, modernizimin e sistemit të kontrollit kufitar, të sistemit të të dhënave të informacionit kriminal, përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale etj, duke theksuar se sfida në vazhdim e Policisë së Shtetit është gjurmimi dhe goditja e aseteve ekonomiko- financiare të krimit të organizuar.

Nga ana e tij zv.drejtori i Përgjithshëm i ICITAP garantoi mbështetje të plotë për misionin e ICITAP në Shqipëri në zbatimin e programeve të asistencës, trajnimit dhe ndihmës për policinë shqiptare në realizimin e objektivave të saj. “Policia e Shtetit ka kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën e saj gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri vitin e kaluar, si dhe ka dëshmuar profesionalizëm të lartë për menaxhimin me sukses të situatës aktuale duke garantuar rendin dhe sigurinë publike”, u shpreh Zimmon.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›