Maradona pranon rinovimin deri më 2014-n, firma të hënën
Tani gjithçka duket më e qartë. Pas zhgënjimit, lotëve, fjalëve të bukura, turmave në delir dhe sjelljes së tij “tërhiq e mos e këput”, ylli i futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, duket se më në fund e ka vendosur në lidhje me të ardhmen e tij: ai do të vazhdojë të drejtojë Kombëtaren e Argjentinës. Sipas shtypit lokal, ish “el Pibe de Oro” ka fluturuar dje në drejtim të Venezuelës, ku është ftuar nga Presidenti Hugo çavez. Por është mësuar se të martën në mbrëmje Diego ka diskutuar gjatë në telefon me Hulio Gordona, numrin një të Federatës Argjentinase të Futbollit, duke i manifestuar atij synimin për të qëndruar në timonin e Seleksionit, pas një rinovimi të kënaqshëm të kontratës. Shumë shpejt pritet të zhvillohet edhe takimi i së vërtetës. Sikurse është bërë e ditur nga mediat, të hënën është programuar një bisedë kokë më kokë mes trajnerit dhe presidentit të Federatës Argjentinase, ku do të dilet edhe me një vendim përfundimtar. Të dy do të diskutojnë më në detaje opsionet e një marrëveshjeje të mundshme, e cila mund të konkretizohet me firmosjen e rinovimit të kontratës, që do t’i lejonte Maradonës të qëndronte në krye të pankinës së Argjentinës deri në Botërorin Brazil 2014. “Kam folur me Diegon dhe kemi lënë që të takohemi të hënën. Kjo është e vetmja gjë e vërtetë”, është shprehur Gordona, i cili nënkupton se nuk ka dëshirë ta komentojë më tej këtë çështje. Sipas shtypit lokal, Federata Argjentinase e Futbollit, mes të tjerave ka hequr dorë nga modifikimi i stafit teknik të ish “el Pibe de Oro”-s. Një tërheqje e tillë ka ndodhur edhe për faktin se në federatë janë të vetëdijshëm të gjithë se Maradona gëzon edhe mbështetjen e Presidentes së Argjentinës, Kristina Kirshner. Kjo e fundit është një nga mbështetëset më të mëdha të teknikut, edhe pas eliminimit të skuadrës së tij në çerekfinalet e Botërorit Afrika e Jugut 2010, ku pësoi humbjen e turpshme 4-0 ndaj Gjermanisë. Edhe pse ky rezultat ishte shokues për Argjentinën, e cila shikohej si një nga favoritet kryesore për fitimin e titullit kampion bote, askush në vendin amerikano-latin nuk dëshiron të privohet nga Maradona. Madje për këtë arsye është krijuar edhe një lëvizje popullore. Në këtë lëvizje janë përfshirë edhe lojtarët e udhëhequr prej Lionel Mesit, të cilët i kanë kërkuar me të gjithat mënyrat të mos largohet nga drejtimi i kombëtares. Dhe një person “i dashur” si ai, nuk kishte se si të qëndronte indiferent përpara një kombi të tërë. Dëshira për të vazhduar në krye të Kombëtares, provon edhe një herë dashurinë e madhe të tij për Argjentinën.
#