E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Gogh është vrarë?

Por një libër i ri që doli në qarkullim mbrëmjen e së dielës, shqyrton një mundësi shumë të ndryshme: Van Gogh ishte qëlluar nga një ose disa fëmijë por zgjodhi të mbulonte krimin e tyre para se të vdiste.

Steven Naifeh dhe Gregory White Smith, të cilët fituan çmimin Pulitzer për librin e tyre “Jackson Pollock: An American Saga” flasin për këtë mundësi në librin e tyre të ri “Vincent Van Gogh: A Life”.

Autorët thanë për “CBS” se kishin zbuluar shumë kundërthënie në lidhje me versionin e vdekjes së Van Gogh-ut. Përshembull, pasi u qëllua, Van Gogh arriti në Auberge Ravoux, ku edhe jetonte, duke mbajtur stomakun me dorë – por fusha ku ai thuhet se u vetëvra ishte më larg se një milje dhe terreni ishte tepër i ashpër. Ndërkohë, një banor pretendonte se e ka dëgjuar të shtënën jo në fushë ku thuhet se u vetëvra, por në oborrin e një ferme jo më shumë se gjysmë miljeje larg nga hani.

Autorët e librit theksojnë po ashtu se mjekët që kishin qenë prezent kur Van Gogh vdiq kishin nënvizuar faktin se plumbi ishte qëlluar nga një distancë jo krejt afër trupit dhe në një kënd që nuk e qëllon dot vetë njeriu. Kur autoritetet e pyetën artistin nëse kishte tentuar të vriste veten, ai tha: “besoj se po”, dhe u kërkoi që të mos akuzonin njeri tjetër për krimin.

Në një nga gazetat mjekësore franceze ishte një shkrim i një personi që kishte qenë adoleshent kur Van Gogh jetonte në Auvers. Ai pretendonte se kur kishte qenë së bashku me të vëllanë gjatë verës në këtë qytet, ishin fyer shumë artistin dhe ia kishin bërë jetën të mjerueshme. Adoleshenti i atëhershëm gjithashtu pranonte se e kishte marrë pistoletën nga hanxhiu, por Van Gogh-u ia kishte marrë atij. Sipas autorëve të librit është tepër e mundur që Van Gogh të jetë qëlluar aksidentalisht por të rinjtë nuk treguan kurrë nga turpi.

Po nëse është kështu, atëherë përse Van Gogh e mbuloi krimin? Autorët thonë se artisti e ndjente veten si barrë financiare për të vëllanë Theo, dhe ishte në mjerim të madh. Sipas tyre, Van Gogh e shikonte çështjen sikur “këta fëmijë i bënë një favor duke e qëlluar”./Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-10-17 15:05
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›