Van Nistelroi, Mungesa e madhe ndaj Shqipërisë

Rud van Nistelroi është lënë dje sërish jashtë skuadrës përfaqësuese të Holandës, kur trajneri Marko van Basten bëri të ditur 22 lojtarët që ai ka përzgjedhur për dy sfidat eliminatore të Euro 2008-s, atë kundër Bullgarisë, dhe, më pas, kundër Shqipërisë. Sulmuesi i Realit të Madridit e kritikoi Van Bastenin në fillim të kësaj jave, duke deklaruar se ai ishte lënë jashtë skuadrës përfaqësuese të "Tulipanëve" pas Botërorit 2006, për arsye që nuk kanë të bëjnë aspak me futbollin.
Gjithsesi, trajneri Van Basten ka deklaruar dje se ky nuk ishte fundi i karrierës së Van Nistelroit me skuadrën përfaqësuese. "Tashmë varet nga ai për të na treguar se kemi gabuar, - deklaroi Van Basten gjatë një konference për shtyp, të dhënë të premten në kryeqytetin holandez. - Ne kemi biseduar për këtë në të shkuarën dhe ai e di se c'mendojmë ne për të, sikundër kemi dëgjuar gjithashtu mendimin e tij. Ky ishte reagimi i tij dhe zgjedhja që ai ka bërë. Nuk ishte edhe aq e hijshme dhe dinjitoze, por unë kam qenë vetë lojtar dhe e kuptoj se ky është reagimi i një lojtari të zhgënjyer."
Më tej, Van Basten shtoi: "Gjithsesi, duke patur parasysh përvojën që ai ka, them se nuk duhet të kishte vepruar kështu. Por, për fatin e keq të Rudit, në skuadrën tonë konkurrenca është më e madhe në sulm sesa në mesfushë." Van Nistelroi u la jashtë skuadrës përfaqësuese të Holandës pas Botërorit 2006, së bashku me Mark Van Bomelin, ndonëse ky i fundit rikthehet në skuadër pasi mungoi në 3 takimet e fundit. "Mark Van Bomel po luan mirë te Bajerni i Mynihut, ku ai luan më rregullisht se c'bënte kur ishte te Barcelona", - tha Van Basteni, duke shpjeguar vendimin e tij për të rithirrur në skuadrën përfaqësuese mesfushorin Van Bomel.
Holandezët kryesojnë grupin G, me 6 pikë në dy ndeshje, dy pikë më tepër se ndjekëset më të afërta, Rumania dhe Bullgaria. Holandezët udhëtojnë drejt Sofies për t'u ndeshur me Bullgarinë më 7 tetor 2006, ndërsa presin në fushën e vet Shqipërinë katër ditë më vonë. Në fakt, Rud Van Nistelroi është në formë të shkëlqyer me Realin e Madridit, duke shënuar rregullisht, madje, në mesjavë, ai ishte autori i dy golave në atë fitore 5-1 që madrilenët arritën në Ligën e Kampioneve ndaj Dinamos së Kievit.
Ja lojtarët e grumbulluar:
Portierë: Henk Timer (Fejënord), Edvin van der Sar (Mancester Junajtid).
Mbrojtës: Ërbi Emanuelson (Ajaks), Xhon Heitinga (Ajaks), Tim de Kler (AZ Alkmar), Kev Jaliens (AZ Alkmar), Joris Mathijsen (Hamburg), Andre Oijer (Blekbërn Rovers), Xhovani van Bronkhorst (Barcelona), Khalid Bulahruz (Celsi). Mesfushorë: Uesli Snaijder (Ajaks), Stijn Shaars (AZ Alkmar), Demi de Zeuv (AZ Alkmar), Najxhel de Jong (Hamburg), Deni Landzat (Uigan Atletik), Mark van Bomel (Bajern Mynih).
Sulmues: Klas-Jan Huntelar (Ajaks), Robin van Persi (Arsenal), Rajën Babel (Ajaks), Dirk Kujt (Liverpul), Jan Vennegor of Heselink (Sëlltik), Arjen Roben (Celsi).