Van Persie mohon: Me Moyes, gjithçka OK

Robin Van Persie ka reaguar menjëherë pas zërave për një krisje të raporteve me trajnerin David Moyes dhe se nuk ndihet aspak i lumtur me metodat e tij stërvitore. Ishte “Daily Star” që publikoi lajmin, ku thuhej se sulmuesi i Manchester United nuk është i bindur me lidershipin e skocezit, pas tërheqjes së Sir Alex Ferguson në fund të sezonit të kaluar. Gjithsesi holandezi nxiton të qetësojë situatën, teksa u shpreh për “De Telegraaf” se atmosfera brenda kampit të Djajve të Kuq është shumë e mirë.
“Eshtë bukur të punosh me trajnerin e ri David Moyes. Ai ka stilin dhe metodat e veta dhe unë pajtohem me to, pasi më pëlqejnë. Ndihem i lumtur dhe ka harmoni brenda klubit. Stili i Moyes në stërvitje është ndryshe, ai qëndron pranë lojtarëve, duke na përgatitur bashkë me stafin për ndeshjen me kundërshtarin e radhës”.
Përpos fjalëve të Van Persie, aventura e ish teknikut të Evertonit te Manchester United nuk ka patur startin më të mirë të mundshëm në kampionatin anglez. Vetëm 4 pikë janë marrë në tre takime, një fitore me Swansea ku Van Persie shënoi dy herë, një barazim pa gola me Chelsea dhe e fundit ishte humbja 1-0 në fushën e Liverpoolit..Supersport.al