Kritika e Van Basten: Milani aktual, një skuadër e plakur
Zemra e Marko van Basten vazhdon të rrahë për Milanin. Gjithsesi, ish-ylli i futbollit holandez, nuk ngurron të "shigjetojë" skuadrën ku u bë i madh. Trajneri i Ajaksit tha: "Ky Milan nuk ka asgjë të përbashkët me Milanin tim, i cili dominonte në kampionat. Skuadra e tanishme është e plakur, ndërkohë që Seria A dominohet nga Interi". 44-vjeçari pranon edhe disa biseda me drejtuesit e klubit kuqezi, të cilët i kanë ofruar të kthehet në Milanelo, si trajner. Pohime që shtojnë spekulimet rreth së ardhmes së Ançelotit... "Kam folur disa herë me drejtuesit e Milanit, tregoi Van Basten. Ata kanë thënë batuta si për shembull: ‘Eja te ne‘. Por, nuk po flisnin seriozisht... Për më tepër, jam ende në një fazë kur po mësoj profesionin tim të ri. Më nevojiten edhe disa vjet punë dhe eksperiencë për të arritur në nivele të larta dhe për momentin nuk mendoj të largohem nga Ajaksi. Mund të rrëfej se disa vjet më parë, jeta ishte më e lehtë. Flas për periudhën kur isha thjesht goleador...". Në fund edhe një vlerësim për futbollin italian, ku në tetë sezone me Milanin, ai realizoi 90 gola në 147 takime: "Në atë kohë, Italia dominonte në Evropë dhe në botë. Të gjithë lojtarët më të mëdhenj luanin në Serinë A, ndërsa tani ata janë shpërndarë edhe në Spanjë e Angli".