Vanackere: Kriza e tejzgjatur dëmton Shqipërinë në Europë

Kreu i Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, përkatësisht shefi i diplomacisë së Belgjikës, Steven Vanackere, ka deklaruar dje se kriza e tejzgjatur politike në Shqipëri po dëmton imazhin e vendit në Europë. Mesazhi është dhënë pak kohë pas mbylljes së sezonit parlamentar, ku nuk u arrit dot ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe pas përplasjes mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës. Ministri i Jashtëm i Belgjikës, duke folur për BBC-në, thekson se “funksionimi i institucioneve është parim bazë i demokracisë dhe ka shumë rëndësi në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës”. Në fakt kriteri politik është barriera kryesore që e ka penguar deri tani ecjen përpara të Shqipërisë, si për liberalizimin e vizave, por më shumë për marrjen e statusit të vendit kandidat të Bashkimin Europian. Në intervistën e tij, Vanackere nuk jep asnjë afat për marrjen në shqyrtim të dy vendimeve që Shqipëria pret nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm belg, Steven Vanackere, në intervistën e tij për BBC-në, flet edhe për Ballkanin, e në veçanti për marrëdhëniet Prishtinë-Beograd dhe zgjidhjen e “nyçes gordiane” për emrin e Maqedonisë...
Si e shihni ju ngërçin politik në Shqipëri, ku nuk ka ende një marrëveshje politike mes qeverisë dhe opozitës?
Më 29 korrik, Kryeministri im u takua me Kryeministrin Berisha në Bruksel. Në këtë takim u diskutua për këtë çështje. Sigurisht do të ishte mirë që vetë Shqipëria ta zgjidhte këtë problem shqiptar. Ne e vlerësojmë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, pjesëmarrjen e saj në disa nisma bashkëpunimi rajonal dhe hapat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Autoritetet shqiptare po punojnë për kryerjen e disa reformave në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Por, kur sheh situatën e brendshme dhe krizën e tejzgjatur mes qeverisë dhe opozitës, e kupton se kjo ndikon negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në Europë. Ne theksojmë edhe një herë se funksionimi i institucioneve është parim bazë i demokracisë dhe ai ka shumë rëndësi në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. Siç e them edhe për vende të tjera, përpjekjet për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk duhet të bëhen vetëm për hir të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo është e rëndësishme për të pasur një klimë politike normale dhe për t'i shërbyer sa më mirë qytetarëve të një vendi.
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka paraqitur një projektrezolutë të saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Bashkimi Europian ka bërë thirrje për bashkërendim të hapave. Si e keni parë ju në Bruksel këtë veprim të Serbisë?
Mendoj se të dyja palët, që ishin më të interesuarat, kanë reaguar me shumë maturi pas mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po të kemi parasysh që për disa, mendimi i gjykatës se nuk kishte pasur shkelje ligjore në shpalljen e pavarësisë së Kosovës ishte disi i papritur, mund të themi se reagimet e palëve kanë qenë të matura. Nga Kosova nuk pamë të shprehej ndonjë ndjenjë triumfalizmi. Mendoj se edhe reagimi i Serbisë ishte i matur. Në thelb, Bashkimi Europian thotë se pas procesit ligjor, duhet të ketë një proces të ri dialogu dhe logjike politike. Ky duhet të jetë fillimi i një procesi ku është e qartë se e ardhmja e të dyja vendeve është në Bashkimin Europian. është e rëndësishme që palët të mos merren me të kaluarën dhe ta kuptojnë se ekziston një perspektivë e përbashkët europiane për të dyja vendet.
Si i shihni lëvizjet e Serbisë tani me këtë projektrezolutë përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së?
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, është në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë për të rënë dakord për disa ndryshime që çojnë kah logjika e një rezolute jokonfrontuese në Asamblenë e Përgjithshme, një rezolutë që do të ishte një sinjal i fortë për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës. Ne po përpiqemi që ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë mundësi, në mënyrë që të ecim përpara, jo të shohim prapa.
A mund të shohim dy projektrezoluta në Asamblenë e Përgjithshme, njëra nga Serbia dhe tjetra nga BE-ja?
Ky nuk do të ishte një zhvillim pozitiv. Idealisht ne duhet të mendojmë një skenar me një rezolutë të vetme. Unë nuk i kam prerë shpresat për mundësinë e arritjes së një rezolute, për të cilën të ketë konsensus.
A i përjashton BE-ja bisedimet për statusin e Kosovës?
Të vazhdosh të flasësh sot për statusin e Kosovës nuk është gjëja më e mirë që mund të bësh. Ka shumë çështje që duhen zgjidhur dhe mendoj se dialogu politik është instrumenti më i mirë për këtë.
A është Bashkimi Europian i gatshëm që të ndërmjetësojë në dialogun mes Prishtinës e Beogradit?
Këtë qëndrim e bëri menjëherë të qartë Catherine Ashton në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së, kur tha se ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë përpara dhe Bashkimi Europian është i gatshëm që të ndihmojë për krijimin e një atmosfere dhe situate që e inkurajon këtë dialog.
Zoti ministër, janë pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. A mund ta dëmtojë kjo perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit e, në veçanti, të Kosovës?
Le ta themi ashtu siç është. Nuk është situatë ideale kur sheh se në një organizatë si Bashkimi Europian ka dallime. Sigurisht, kjo nuk është një situatë perfekte. Por, edhe pse pesë vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën, ishte e qartë se menjëherë pas vendimit, apo më mirë, opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ne arritëm të dalim me një deklaratë unanime në emër të të 27 anëtarëve.
Meqë e përmendëm perspektivën europiane për Ballkanin, a është e gatshme BE-ja që të bëjë kompromis me Serbinë, për të përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE, pas vendimit të GJND-së?
Në pyetjen tuaj ka disa elemente të ndryshme. Unë po filloj duke thënë se në Samitin e Sarajevës, vendet anëtare të Bashkimit Europian e konfirmuan në mënyrë të qartë se ambiciet dhe e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është që një ditë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Ky është një proces i pandalshëm. E di që ka nga ata që besojnë se Bashkimi Europian është lodhur nga procesi i zgjerimit, madje ka vende që mendojnë se zgjerimi nuk është më prioritet i BE-së. Por, mund t'ju konfirmoj se për sa i përket Presidencës belge të BE-së, nga kontaktet që kemi pasur me kolegët tanë, kemi vënë re që nuk ekziston ndonjë shenjë lodhjeje nga procesi i zgjerimit. Ne duam që të shënojmë përparime të mëtejshme në këtë rrugë, përfshirë edhe Serbinë.
Por kush e përcakton këtë perspektivë? Kosova përcakton perspektivën e Serbisë apo Serbia të Kosovës?
Që t'i përgjigjem pyetjes suaj, dua që të theksoj se nuk do të ketë diçka të tillë si trena të zgjerimit të BE-së, anëtarësim në çifte, apo varësi të momentit të anëtarësimit të një vendi nga ajo që ndodh me vendet e tjera të rajonit. çdo vend e ka fatin në duart e veta. Analiza që bën Komisioni Europian dhe secili nga vendet anëtare në përfundim të procesit, bazohet mbi meritat e vendit kandidat, jo në logjikën e kalendarit apo të çiftëzimit të vendeve. Në rastin e Serbisë, rekomandimet tona për hapat që duhen hedhur për avancimin e procesit të anëtarësimit, janë të qarta. Ne kemi kërkuar reforma të brendshme, shtimin e nivelit të bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, vazhdimin e kontributit për bashkëpunimin rajonal. Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, Serbia e ka të ardhmen e saj në duart e veta, prandaj duhet të hedhë hapa të mëtejshëm në këto fusha.
Le të kthehemi sërish tek dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Kur mendoni se duhet të fillojë ky dialog për çështjet praktike?
Kur? çështja nuk shtrohet se kur, por se për çfarë do të jenë të gatshme të dyja palët të diskutojnë. Fjala është për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes Beogradit dhe Prishtinës për çështje shumë praktike me interes të përbashkët, çështje që ndikojnë në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike. Pra, mund të flitet për nisma bashkëpunimi, për kontrollet doganore, bashkëpunimin e forcave të policisë dhe organeve të drejtësisë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, kthimin e personave të zhvendosur, apo rindërtimin. Këto aspekte janë jo vetëm shumë të rëndësishme për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por ato janë në interesin e qytetarëve në Serbi dhe Kosovë. Prandaj, duhet të theksoj se fillimi i dialogut është në interes të përbashkët. Besoj se udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd do të jenë në gjendje që ta fillojnë këtë dialog.
Zoti ministër, BE-ja ka diskutuar edhe për përparimin e Maqedonisë. Jeni ndarë të pakënaqur. Cilat janë problemet me të cilat po përballet ky vend këto ditë?
Ne patëm një takim shumë të mirë pak ditë më parë, të martën e kaluar, në Këshillin e Stabilizim-Asocimit. U takova për herë të dytë me homologun tim maqedonas, Antonio Milloshovski, bashkë me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule. Vumë re se ka pasur një lloj progresi. Kujtoj se nga fundi i vitit të kaluar u krijua përshtypja se Maqedonia po bënte disa hapa të vegjël prapa. Ne e inkurajojmë Shkupin të vazhdojë me procesin e reformave, duke insistuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të forcuar stabilitetin në vend. Takimi që pata me ministrin e Jashtëm maqedonas tregoi se në këtë vend ka pasur disa përparime.
Sa ndikim mund të ketë mosmarrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit në përafrimin e Maqedonisë me BE-në?
Të gjithë e dimë se për të pasur një vendim unanim të 27 vendeve anëtare në Këshillin Europian, duhet të gjejmë një zgjidhje për mosmarrëveshjen që ekziston për çështjen e emrit. Unë dhe komisioneri Fule e kemi theksuar se kjo duhet të arrihet pa humbur kohë. Pavarësisht nga kjo, nuk mund të thuhet se është vetëm çështja e emrit ajo që e pengon progresin e Maqedonisë. Ajo duhet të vazhdojë procesin e reformave dhe të zbatojë të gjitha angazhimet që ka ndërmarrë. Gjithsesi, jam dakord se çështja e emrit është delikate. Presidenca belge mbështetet në gatishmërinë e Greqisë dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë që të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje. Do të ishte mirë sikur kjo çështje të zgjidhej brenda verës.
Marrë nga BBC
#