E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Mile: “Për golin i pari më uroi Migen Memelli nga Norvegjia”

Albania-sport - Sulmuesi i Dinamos, beratasi Vangjel Mile shënoi golin e dytë të Dinamos në fitoren 2-1 me Apoloninë, në takimin e prapambetur të javës së 22, njëherësh edhe të fundit të fazës së dytë. "Goli më gëzoi shumë, por nuk do ta konsideroj më të rëndësishëm se ai i shënuar nga shoku im i ekipit, Diop. Jam i kënaqur që arritëm fitoren pas atij eliminimi të pamenduar me Besën në Kupën e Shqipërisë", pohoi Mile për Albania-sport.com, pas daljes nga dhomat e zhveshjes.
Mile nuk mundi ta përfundojë takimin pasi u ndëshkua me kartonin e kuq pas dy të verdhave të dhëna më parë nga gjyqtari i takimit, Kridens Meta. "Nuk e meritoja kartonin e kuq, bëra vetëm dy ndërhyrje të parregullta gjatë atyre minutave që luajta, por kartonin e dytë të verdhë nuk e meritoja", shprehet sulmuesi Mile, i cili do të mungojë në takimin e ardhshëm ndaj Elbasanit, ndeshje që hap dhe fazën e tretë për skuadrën blu.
Vangjel Mile është rekrutuar nga Dinamo gjatë merkatos dimërore, që në të vërtetë ishte një rikthim nga Norvegjia, ku sulmuesi beratas u aktivizua në Kategorinë e Dytë me Konvisinger. "I ruaj kontaktet si me Migen Memmelin që luan me SK Bran ashtu dhe me Jahmir Hykën, që u tranferua nga Rozenborg te Olimpiakos. Madje, Migeni ishte i pari që më uroi me anaë të një mesazhi në celular për golin e shënuar, pasi e kishte ndjekur ndeshjen përmes radios", zbulon një tjetër detaj Mile, i cili ka nënshkruar një kontratë tri vjecare me Dinamon.
DIOP: "JAM KRENAR PËR GOLIN"
Për Albania-sport.com u shpreh edhe mbrojtësi senegalez i bluve, Diop, autori i golit të parë në takimin Dinamo-Apolonia. "Ky ishte goli im i dytë në kampionat dhe jam shumë krenar. Për nuk është më i rëndësishëm goli sesa fitorja pasi vinim pas shokut me Besën", thotë Diop jashtë ambienteve të stadiumit "Selman Stërmasi" në shoqërinë e mikut të tij më të ngushtë në Shqipëri, sulmuesit të Vllaznisë, El Hadji Goudjabi.
LIKA SHIJON FITOREN NGA TRIBUNA
Portieri i Dinamos, Ilion Lika, i pezulluari pa afat dhe "koka e turkut" të operacionit "Sulaj" të ndërmarrë pas eliminimit nga Besa, e ndoqi takimin Dinamo-Apolonia (2-1) nga shkallët e tribunës A të stadiumit "Selman Stërmasi". Në jo pak raste Lika duartrokiti veprimet e portierit të Dinamos, Hoxha. Lika u largua menjëherë pas firshëllimës së fundit të gjyqtarit Kridens Meta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›