E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreshnik, faleminderit për gjithçka!

Nga Altin B. Kodra
Bashke-editor i Albania-Sport.com


Ata që e mbajnë mend boksin shqiptar në dy dekadat e pas-Luftës, ata që e kanë shijuar pastaj atë në klandestinitetin e orëve të vona në kanalet e huaja gjatë errësirës së regjimit më të rreptë komunist në Evropë, apo edhe ata që kanë zbuluar boksin si sport në vitet e paskomunizmit, do t'ju tregojnë se të shtunën, më 3 mars 2007, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" të kryeqytetit, kanë përjetuar një ndeshje të paharrueshme boksi. Që, për më tepër, kishte për protagonist dhe për fitues pikërisht njërin prej bashkatdhetarëve të tyre. Kreshnik Qato dhe kundërshtari i tij, rusi Aleksandër Zajcev, kanë dhuruar plot 12 raunde të paharrueshme dhe plot 36 minuta emocion, forcë, zgjuarsi dhe spektakël, në atë që ishte kurorëzimi më i mirë i një evenimenti të organizuar në një mënyrë të përsosur dhe profesionalist përtej realitetit shqiptar, falë "Yldon" Sh.p.k. dhe z. Ylli Ndroqi. Në një ndeshje që i kishte të gjitha, sportdashësit shqiptarë, qoftë ata që e ndoqën në nxehtësinë emocionale të Pallatit të Sportit, qoftë ata që e ndoqën nëpër ekranit të platformës "SuperSport" apo edhe nëpërmjet faqes sonë, Albania-Sport.com, kanë parë dy boksierë të ndryshëm në moshë, fizik dhe stil boksi, por që, në fund, kanë dhuruar një ndeshje të denjë për cdo nivel ndërkombëtar të kësaj kategorie. Boksieri shqiptar ishte 6-7 vjet më i ri se kundërshtari i tij dhe këtë e tregoi me zhdërvjelltësinë e tij në ring, me dëshirën për të sulmuar gjithmonë dhe, në disa raste, jo dhe aq racionale, për të mos u tërhequr atëherë kur duhet. Nga ana tjetër, Zajcev tregoi se vitet mund të kishin bërë të tyren fizikisht, por ama i kishin dhënë përvojën dhe zgjuarsinë për t'u mbrojtur me kujdes vazhdimisht, për ta lodhur kundërshtarin, për t'i qëndruar gjithnjë afër dhe për ta zënë ngushtë te litarët ose në qoshe të ringut dhe për të ekzekutuar atë goditje fatale, që jo pak herë e vuri në vështirësi Qaton. Dhe ndërthurja në këtë përballje e fizikut me zgjuarsinë, e dëshirës për të sulmuar me kujdesin për t'u mbrojtur, me përllogaritjen e forcave të kundërshtarit, u dha shqiptarëve një mbrëmje mjaft emocionuese, që kishin kohë që nuk e përjetonin falë sportit. Duke lënë mënjanë fushatat elektorale, ishte e para herë që Pallati i Sportit në kryeqytet mbushej përtej kapacitetit të tij, vetëm e vetëm falë sportit dhe për këtë e falënderojmë Qaton. Faleminderit Kreshnik për emocionet, për sfidën, për fitoren, për gjithcka...!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›