Zherardinjo: “Rosha kthehet, i gatshëm kundër Tiranës”

Albania-sport - Mesfushori veteran brazilian i Apolonisë, Zherardinjo Do Carmo, ndihet i pakënaqur me humbjen (2-1) e ekipit të tij ndaj Dinamos vendase që e mbylli takimin me dhjetë lojtarë.
Zheradinjo luajti në minutat e fundit si zëvëndësues në këtë takim. "Edhe mund të barazonim rezultatin pas golit të Denis Memës, por nuk patëm fat ", thotë me një shqipe të kulluar për Albania-sport.com, Zherardinjo, i rrethuar nga gruaja e tij, Elzita dhe dy fëmijët Rafael dhe Regis.
Faza e tretë e ka vendosur Apoloninë përballë Tiranës. "Ndeshen dy ekipe që renditen në ekstremet e klasifikimit. Ne në të fundit dhe Tirana në të parin. Është një ndeshje e vështirë, pasi ne na duhen patjetër pikë. Do të mobilizohemi të gjithë. Në Tiranë do të luftojmë të marrim të paktën një", pohon Zheradinjo, i cili luan edhe rolin e asistentit të trajnerit Andrea Marko.
"Trajneri Marko është një profesionist dhe kjo më ka vlejtur dhe mua", jep konsideratën e tij, Zherardinjo, që shton se tashmë ndihet i qetë në Fier dhe nuk përjeton më ato shqetësime të para zgjedhjeve.
"Nga katër brazilianët që i largoi policia do të kthehen Rosha dhe Da Silva. Kam folur me ta dhe priten të vinë përpara ndeshjes me Tiranën. Nëse trajneri do ta gjykojë të përshtatshme, Rosha do të luajë kundër Tiranës në ndeshjen e fazës së tretë", përfundon Zherardinjo për Albania-sport.com